E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi mbron figurën e Skënderbeut: “Ziliqarët kërkojnë të tjetërsojnë historinë”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë pjesë dje në konferencën kombëtare të familjeve fisnike shqiptare, të cilat u mblodhën në përkujtim të përvjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjatë fjalës së tij Topi i ka cilësuar familjet fisnike shqiptare si pasardhëse të Skënderbeut dhe që kanë ndikuar në historinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij kreu i shtetit është përqendruar në figurën e heroit kombëtar duke e ka cilësuar atë kryezot të Arbërisë. “Shekuj më parë, më 17 janar të vitit 1468, kryezoti i Arbërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndahej nga jeta për t’u bërë personazhi më i gjallë i gjithë historisë së Shqiptarëve. Fan Noli, që dha e mori me të gjatë, thuajse tërë jetës, pohoi aty nga fundi i saj: ‘Nganjëherë pyes veten nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu?’ Ai ishte realiteti, modeli dhe simboli i një kauze të shenjtë, i lirisë kundër robërisë. Ai ishte prijësi i një lufte të drejtë, heroike e mbrojtëse, si dhe burri i shtetformimit”, - është shprehur Topi. Sipas tij, Skënderbeu realizoi të parin bashkim politik dhe ushtarak të arbërve në Kuvendin e Lezhës. “Aktiviteti i tij dhe rezistenca ndaj pushtuesit, e vunë atë në ballë të koalicionit antiosman. Lufta skënderbegiane buronte prej vetëdijes, se pushtimi osman do të tjetërsonte vlerat kombëtare dhe do ta shkëpuste vendin nga Europa”, - është shprehur presidenti shqiptar. Duke u përfshirë në debatin e kohëve të fundit mbi figurën e Skënderbeut, Topi tha se ata që kërkojnë të tjetërsojnë rolin e tij në histori nuk janë gjë tjetër vetëm xhelozë dhe ziliqarë. “Ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për bëmat, famën, marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Europën ushtarake e politike të kohës duke u përpjekur sot ta ridimensionojë atë. Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione: ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Dokumentet arkivore, vlerësimet e bashkëkohësve si Papët e Romës, apo familjet mbretërore, me të cilat ai ishte në aleancë e bashkëpunim, ato të humanizmit dhe iluminizmit europian, tekstet e historiografëve më në zë të kohërave janë për ne, një burim i ligjshëm krenarie dhe sasi e bollshme informacioni për një histori objektive të këtij burri, që u bë shpirti i historisë së Mesjetës”, - është shprehur kreu i shtetit.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›