E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë Krujë, Berisha: Taksa e sheshtë është taksa më e ndershme

TIRANE - Kryeministri Berisha theksoi sot gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të qarkut të Durrësit, në Fushë Krujë se në këto pak vite demokratët kanë ndryshuar për mirë historinë e këtij vendi.

“Jemi anëtarësuar në NATO. Kemi firmosur MSA-në. Kemi hequr vizat dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Kemi merituar plotësisht statusin e vendit kandidat, por paudhësitë e brendshme, një i paudhë na e zuri rrugën, por më pas erdhi e votoi ligjet dhe do ta marrim statusin brenda vitit”, - tha Berisha.

Duke folur për kreun e PS-së, Edi Rama, Kryeministri tha se, “alternativa tjetër është ajo e taksës progresive. Ai kundërshton taksën e sheshtë, taksën e të dhjetave, taksa më e ndershme, me të cilën ai që merr 100 paguan dhjetë, ai që merr 1000 paguan 100. Me taksën që propozon ai rrezikon të shkatërrojë dhjetëra mijëra vende pune në të gjithë Shqipërinë”.

Sipas kreut të qeverisë, “Fushë Kruja ka sot një infrastrukturë moderne. U ndërtua by-pasi, filloi unaza, janë rindërtuar dhe ndërtuar me dhjetëra shkolla. Ne që kemi realizuar këto, besojmë se kemi detyra shumë të mëdha. 4 vitet që vijnë i marrim në mënyrën më serioze. Me këto që kemi bërë e kemi shndërruar Fushë - Krujën në një hyrje veriore të kryeqytetit të Shqipërisë”.

“4 vitet që vijnë detyrat tona të shtëpisë janë statusi i vendit kandidat, hapja e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Krijimi i vendeve të punës për qytetarët e gjithë Shqipërisë”,- tha Berisha.

Me reformat tona, vijoi Kryeministri, “bëmë të mundur që Shqipëria të ketë rritje ekonomike, Shqipëria nuk ra në recension, por pati rritje ekonomike dhe ulje të papunësisë. 30 mijë vende të reja pune hapen në parqet rreth Tiranës. Vende pune për çdo shqiptar që ai të marrë një rrogë më të lartë. Dhjetëra mijëra shqiptarë do të punësohen në infrastrukturën e re që po ndërtohet në mbarë Shqipërinë”.

“Do të punësojmë dhjetëra mijëra shqiptarë, tha Berisha, sepse po e bëjmë vendin çdo ditë e më tërheqës për investimet e huaja. Patëm rritje prej 316%. 4 vitet e ardhshme do të marrim 6 mld dollarë investime. Gjithçka që në Shqipëri të zbarkojnë gjigandët më të mëdhenj të ndërtimit të makinave dhe teknologjisë së lartë të informacionit. Në Shqipëri kanë filluar ndërtimin dhe po ndërtohen mbi 100 Hec-e mes të cilëve gjigandi i Devollit. Qershori është muaji i vendimit historik, gazsjellësi TAP do të vijë në Shqipëri.

"Fermerëve shqiptarë që u financuam 42 mijë projekte u jap fjalën se do të trefishojmë grantin për ta nga 56 milionë në 165 milionë. Fermerëve do t’u jepet me para në dorë akciza e naftës, inputet blegtorale të çdo natyre qofshin. 4 vitet që vijnë do të dyfishojmë punësimin në Shqipërinë dixhitale. Ky është plan punësimi konkret, real, bazohet në atë që kemi mbjellë së bashku 4 vitet që shkuan”.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›