OSBE-ODIHR-i: KQZ-ja, e paaftë për administrim. Qeveria, rrugë elektorale
Tiranë- Misioni OSBE/ODIHR-it, i kryesuar nga amerikanja Conny McCormack ka publikuar sot raportin e ndërmjetëm paraprak të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në vendin tonë.
Në raport analizohen disa aspekte të fushatës dhe zgjedhjeve deri më sot, ku ndër më të rëndësishmet është edhe situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sa i takon kësaj, në raport thuhet se aktualisht është duke funksionuar me 4 anëtarë, gjë që pengon aftësitë për të administruar procesin sic e kërkon ligji.
Raporti konstaton se ndërsa përgatitjet për zgjedhjet vijojnë janë vërejtur vonesa në disa afate ligjore të moszbatuara në kohë.
Vihen re vonesa dhe mos zbatimi i afateve ligjore. KQZ mban takime te shpeshta publike, por megjithatë vendimarrja e tij vuan nga mungesa e transparencës. Vendimet e KQZ-së nuk janë publikuar menjëherë në faqen e saj, siç kërkohet nga ligji. Kjo redukton transparenca e KQZ-së për vendimet e saj. Disa prej vendimeve të KQZ-së janë kritikuar për mungesë motivimi ligjor-thuhet në raport.
Ndërsa për sa i takon ecurisë së fushatës zgjedhore, në përgjithësi cilësohet e qetë, por thekson se vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë vërejtur se disa nga aktivitetet e qeverisë janë përdorur për qëllime elektorale.
Përurimi i rrugëve të reja apo projekteve në infrastrukturë, thekson raporti ODIHR, janë shoqëruar me flamuj të PD që mbajnë sloganin e saj elektoral.
Në faqen zyrtare të kryeministrit në internet publikohen aktivitete elektorale ku ai ka marrë pjesë. Më 13 maj kryeministri publikoi një urdhër ku thuhet se zyrtarëve të lartë u ndalohet të përdorin fonde publike për qëllime elektorale, thekson raporti, ndërsa vijon të thotë se për këtë çështje, ”opozita ka ngritur pretendimin se punonjësve të sektorit publik i është kërkuar të marrin pjesë në mitingje elektorale në mbështetje të partisë në pushtet”.
“Pavarësisht se e ndalon ligji spote publicitare, të paguara nga institucionet publike janë transmetuar në televizionet private dhe atë publik”, thuhet në raport.
Ndërsa raporti vë theksin tek ndryshimet politike që i bëhen Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.
Partitë vazhdojnë të zëvendësojnë anëtarët e KZAZ-ve, pas përfundimit të trajnimit të tyre, duke rritur shqetësimin për paanësinë dhe efektshmërinë-thuhet në raport.