Fushë-Krujë, Gaxhai revoltë në burg
Fatos Mahmutaj & Roland Nikolli
Burgu i Fushë-Krujës, më i riu në vend nga institucionet e riedu-kimit përfshihet nga revoltat. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohon se kanë qenë rreth 25 të burgosur të sektorit të sigurisë së lartë, të dënuar mbi 20 vjet ose përjetë që janë përfshirë në një protestë mëngjesin e djeshëm, shkak i së cilës kanë qenë mbyllja e dyerve të qelive dhe mohimi i vaktit të mëngjesit. Me një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve është vendosur pak ditë më parë, që dyert e qelive së të burgosurve të mbyllen me kyç, pasi gjatë verës ato kanë qëndruar të hapura për shkak të temperaturave të larta. Ndërkohë, duke u nisur nga fakti se dita është zvogëluar, kreu i burgut ka urdhëruar shkurtimin e orarit të ajrimit për të burgosurit, çka është bërë një tjetër arsye për të nxitur pakënaqësi te të dënuarit.
Shkaku
Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që ka shkaktuar pakënaqësi te të burgosurit, të cilët janë përballur fillimisht me gardianët e regjimit të brendshëm, ndërsa më pas edhe me grupet e gatshme të institucionit. Ndërkohë, burime nga vetë të burgosurit pohojnë se në revoltë janë përfshirë pa përjashtim të gjithë të dënuarit, që ndodhen në këtë institucion dhe se protesta ka nisur prej dy ditësh. Sipas tyre, Drejtoria e Burgjeve e ka marrë seriozisht vetëm mëngjesin e djeshëm, në momentin kur të dënuarit kanë kërcënuar se do i vinin zjarrin qelive. Në këtë kohë nga Tirana kanë mbërritur në burg forcat speciale, të cilët kanë hyrë të maskuar në qeli dhe të pajisur me shkopinj gome. Sapo janë futur në mjedisin e brendshëm të burgut ata janë përballur me ish-kapon e Vlorës në vitin 1997, Gazmir Braka dhe Admir Tafilin nga Shkodra, me të cilët janë përplasur fizikisht. Gaxhai dhe Tafili, kanë pasur fatin e keq, pasi qelia e tyre ndodhej e para në sektorin e sigurisë së lartë. Në këtë moment kanë ndërhyrë të burgosurit e tjerë, për të qetësuar situatën dhe pak minuta më vonë situata është vënë nën kontroll.
Situata
Ndërkohë burime policore pohojnë se revolta ka qenë e menjëhershme dhe është mobilizuar i gjithë efektivi policor i institucionit si dhe specialët nga kryeqyteti, ndërsa komisariati i policisë së Krujës dhe rajoni i Fushë Krujës, kanë dërguar efektivë në mbështetje të policisë së burgjeve, duke bërë edhe sigurimin e objektit nga ana e jashtme, si dhe duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e mjeteve pranë institucionit për rreth dy orë. Kurse më vonë mjetet që kanë qarkulluar në këtë zonë kanë kaluar në sitën e policisë, duke u kontrolluar plotësisht. Rreth mesditës, kur situata është qetësuar disi në këtë burg kanë nisur të kryhen takime të familjarëve me të dënuarit e sektorit të sigurisë së zakonshme. Ndërkohë, burime nga burgu pohojnë se është ushtruar dhunë mbi të dënuarit e përfshirë në protesta, gjë që e kanë konfirmuar edhe familjarë tsë të burgosurve që kanë hyrë për të takuar të afërmit e tyre.
Të përfshirë në revoltë
Gazmir Braka, i njohur si Gaxhai, dënuar përjetë
Admir Tafili, 25 vite burg
Genc Tafili, 25 vite burg
Frederik Duda, 16 vite burg, procesi “Kokaina”
Pashkë Lleshi, burgim i përjetshëm, i arratisur nga burgu Burrel
Elidon Kotorri, burgim i përjetshëm
Lavdërim Tufa, burgim i përjetshëm
Eduart Ymeri, i njohur si “Kartela”, burgim i përjetshëm