E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PDS ende e hapur për aleanca zgjedhore”

 

Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, tha dje se do jenë strukturat drejtuese që do vendosin për pozicionimin e saj në koalicionet e ardhshme. “PDS përsërit edhe një herë se nuk ka përcaktuar ende aleancat e ardhshme zgjedhore, dhe se lëvizjet politike të PDS-së nuk do të kushtëzohen nga veprimet e partive të tjera, por nga interesat e elektoratit të saj dhe elektoratit të majtë në tërësi, pas përfundimit të Kodit të ri Zgjedhor dhe qartësimit të aksionit politik të mëtejshëm të partive aktuale opozitare”, tha Duçkallari. Sipas tij, “PDS kërkon një bashkëpunim të hapur për të ndërtuar aleancat e duhura, që do të shërbejnë, jo vetëm për fitoren e zgjedhjeve parlamentare, por edhe për qeverisjen e ardhshme”. Sekretari Politik i PDS-së shprehu shqetësimin e tij për shtyrjen e herë pas hershme të mandatit të Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, si dhe vonesat në përcaktimin e rregullave të organizimit e funksionimit të zgjedhjeve dhe administratës së saj, së bashku me pajisjen e shtetasve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›