E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, “betejë” mes Berishës e Ramës

Agim Neza 

 Përsëri debati për heqjen apo jo të imunitetit të deputetit është bërë refreni i ditës. Për “çudi” kjo lançohet me forcë nga Kryeministri Berisha apo Kryetarja e Kuvendit Topalli, ndërsa opozita më shumë qëndron në pozicionin e heshtjes apo të kundërshtimit, madje të duket sikur pushtetin e ka e majta, e cila frikësohet se me heqjen e imunitetit mund të zbulohen aferat korruptive të qeverisjes!!
Një gjë është e qartë, debati për heqjen e imunitetit nënkupton luftën kundër korrupsionit. Shpresoj dhe besoj se këtë gjë e ka të qartë edhe Kryetari i PS, Rama, pavarësisht se Ai dhe opozita në tërësi mund të mendojë se nuk është koha dhe momenti i duhur.                       
Kjo me sa duket për faktin e thjeshtë se i frikësohen Berishës! Frika nënkupton arrestime. Kjo frikë të krijon përshtypjen se Kryeministri është prokuror dhe gjykatës, kur në fakt Kryeministri Berisha nuk e ka nën hyqëm as Kryetarin e KLD-së, as Prokurorin e Përgjithshëm dhe as Gjykatën e Lartë.
Për mendimin tim, siç e kam shprehur edhe në një shkrim tjetër para disa muajsh me titull “Heqja e imunitetit nuk është Giotinë” i qëndroj mendimit se duhet të hiqet imuniteti i deputetëve, në veçanti për rastet kur një deputet akuzohet për afera korruptive, pastrim parash, mbështetje të grupeve terroriste, apo përfshirje në trafiqe të ndryshme.
Madje mendimi im është se Kryetari i PS, Rama dhe opozita në tërësi duhet të kërkojnë vetë heqjen e imunitetit për faktin se elektorati i majtë do të krijojë besim se e majta është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin nëse vjen në pushtet, aq më tepër që z.Rama thotë se po sjell një politikë të re.
Nuk mendoj se ka argument për panik rreth kësaj çështje në kampin e majtë, kjo edhe për arsyet e mëposhtme:
- Organi që fillon ndjekjen penale është prokuroria. Në këtë kuadër gjer në këto momente nuk ka asnjë rezervë apo qoftë një prononcim të vetëm negativ nga ndonjë politikan i së majtës kundër Prokurores së Përgjithshme, gjë që të jep garanci se asnjë politikan i majtë nuk do të hetohet politikisht, aq më tepër padrejtësisht dhe duke e ditur se znj. Rama ka të paktën një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhje.
- Prokuroria është një organ i pavarur. Nëse do të ishte në varësi të Qeverisë, atëherë mund të aludohej me frikën e arrestimeve nëse do hiqej imuniteti.
- Deputetët e opozitës nuk kanë ndonjë ofiq në strukturat shtetërore, pra nuk janë Ministra, nuk janë zv.ministra dhe nuk kanë lidhje me strukturat shtetërore ku organizohen tenderët. Pra, nuk ka asnjë hapësirë ku ata mund të përfshihen drejtpërdrejt në ndonjë aferë korruptive shtetërore. Pra pse duhet të frikësohen nga heqja e imunitetit?
- Maxhoranca me të mirat dhe të këqijat e saj dha një shembull tepër pozitiv, duke votuar për heqjen e imuniteteve të ministrit të Jashtëm, z. Lulëzim Basha dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu. Pra, maxhoranca tregoi vullnetin e saj se është e gatshme t’iu heqë imunitetin edhe figurave më të rëndësishme të qeverisë dhe ministrave më të besueshëm të Kryeministrit Berisha. Tani nuk është më faji i maxhorancës apo përgjegjësi e saj pse nuk merr zgjidhje çështja e rrugës Durrës–Kukës, megjithëse kanë kaluar rreth 10 muaji që ministri Basha është pa imunitet. Natyrisht nuk është më çështje e maxhorancës se sa do zgjasin hetimet për z. Mediu.
- Nga ana tjetër, megjithëse Presidenti i Republikës, z. Topi u zgjodh kryesisht me votat e maxhorancës, aktualisht ka një besim të plotë tek kampi i opozitës. Pra, z. Topi duke qenë Kryetar i KLD-së (Këshillit të Lartë të Drejtësisë) dhe duke patur të drejtën e dekretimeve dhe shkarkimeve të prokurorëve është një garanci që individ të opozitës të “mos bëhen kurban” me heqjen e imunitetit.
Kështu që deputetët me vullnetin e tyre duhet të kërkojnë miratimin në Parlament të heqjes së imunitetit. Në këtë mënyrë ata do të tregojnë dinjitetin e tyre duke shprehur gatishmërinë se janë të predispozuar të përballen me organet e drejtësisë. Kjo për faktin e thjeshtë se të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit. Nga ana tjetër do të ndihmojnë edhe organin e akuzës për të proceduar direkt me ata që kanë aktualisht imunitet, gjë që do të ndikojë drejtpërsëdrejti për të vërtetuar nëse akuzat kanë “ndikim politik” apo janë të mbështetura në fakte.      
Pse kanë frikë? Pse duhet të insistojnë të ruajnë këtë privilegj nëse e ndjejnë veten të pastër, pra të papërfshirë në afera korruptive apo ndonjë trafik?
Nëse deputetët kanë vila, nëse kanë makina luksoze, nëse kanë sasira të konsiderueshme parash në numrat e tyre të llogarive, ata nuk duhet të frikësohen për faktin se janë aq të zgjuar sa “për të justifikuar pasuritë”, aq më tepër se janë të ndërgjegjshëm se “i kanë venë me djersën e tyre”?!
Nga ana tjetër të gjithë e kemi të qartë se maxhoranca e sotme erdhi në pushtet me kartën e luftës kundër korrupsionit, një kartë shumë e ndjeshme për qytetarin shqiptar. Sipas mendimit tim, e tillë do të jetë dhe fushata e ardhshme, një “betejë” e opozitës me mazhorancën, ku ajo forcë që do të argumentojë tek elektorati luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarit do të arrijë të fitojë.
Me sa duket opozita dhe në veçanti Kryetari Rama presin prononcimin dhe shtytjen nga Ambasada Amerikane, OSBE dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian që t’iu thonë se duhet hequr imunitetit i deputeteve?!.
Deputetët tanë të nderuar duhet ta kenë të qartë se: “Këtë radhë do të ishte më mirë të kërkonin ta hiqnin vetë se sa t’ua heqin (kuptohet imunitetin) Ata (Ambasada Amerikane, OSBE, BE)!”.
Kur organizmat ndërkombëtare të thonë fjalën e tyre për heqjen e imunitetit, ndoshta do të jetë vonë për z. Rama (i referohem z. Rama duke qenë se aktualisht ka numrin më të madh të deputetëve në parlament nga radhët e opozitës dhe konsensusi i tij bën të mundur miratimin e ligjit në Parlament) dhe opozitën në tërësi për të bindur elektoratin se kush është më i besueshëm për të luftuar me të vërtet korrupsionin.
Nuk keni më kohë për të humbur, për faktin nëse qytetari shqiptar ka humbur besimin te politika, me aktin tuaj për të hequr imunitetin, të paktën do t’i jepni shpresë njerëzve të fillojnë të kenë besim tek politika dhe t’iu besojnë ju më shumë se sa thashethemnajave të kafeneve, se sa akuzave që i bëni njëri-tjetrit herë pas here, se sa shkrimeve të gazetave që iu “damkosin” në vazhdimësi.
Përfundimisht mendoj se në muajt e ardhshëm heqja e imunitetit të deputetit do të jetë “një betejë” midis Berishës dhe Rames për të bindur ndërkombëtarët dhe për të krijuar besimin tek elektorati shqiptar se kush është më i angazhuar dhe kush e ka më seriozisht luftën kundër korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›