E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, një tjetër shpërthim tritoli në Fabrikën e Çimentos



Një sasi tritoli ka shpërthyer dje në një kamion brenda në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë. Shpërthimi i eksplozivit nuk ka shkaktuar të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Mësohet se një kamion që po transportonte gurë ka shpërthyer brenda në fabrikë duke shkaktuar panik te punëtorët, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas policisë, nga hetimet e para dyshohet se një sasi tritoli ishte vendosur në kamion dhe ka shpërthyer, por fatmirësisht asnjë nga punonjësit e fabrikës nuk është dëmtuar. Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët e vënies së tritolit. Në zonën e Fushë-Krujës, por edhe në rrethet e Kurbinit, Mirditës dhe Lezhës kanë ndodhur disa shpërthime me tritol gjatë muajve të fundit, por kanë qenë të pakta rastet kur policia ka zbuluar motivet apo autorët e këtyre ngjarjeve.
Precedentët
Një sasi tritoli është vënë në vendin e rojës së Fabrikës së Çimentos së Fushë-Krujës rreth tre muaj më parë, duke shkaktuar dëme materiale. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se “rreth orës 02:30, në Fabrikën e re të Çimentos në Fushë-Krujë, persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të vogël lëndë eksplozive në një nga vendrojat e ruajtjes së fabrikës”. Sipas tyre, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Fatmirësisht, në vendroje nuk ndodhej për momentin njeri, duke shmangur ndonjë vdekje të mundshme. Gjithsesi, dëme materiale u regjistruan duke shkatërruar plotësisht vendrojën dhe përfshirë në shpërthim edhe mjedise të tjera përreth. Në vendngjarje ka shkuar policia, e cila bëri shoqërimin e rojës së objektit, duke marrë dëshminë e plotë për ngjarjen. Hetimet po zhvillohen në dy pista; ato të një atentati ndaj personit që ishte në shërbimin e natës, dhe, dhe së dyti, të një atentati të mundshëm për të dëmtuar Fabrikën e Çimentos. Nga hetimet e para del se është përdorur vetëm një sasi e vogël lënde eksplozive, por nuk konfirmohet lloji i saj. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Arsyet
Që para disa javësh janë bërë protesta të banorëve, të cilët janë ankuar se fabrikat e çimentove po shkatërrojnë jetën e tyre dhe banesat me eksplozivin që përdoret. Ata janë përballur me pronarët duke kërkuar që të mos i lënë që të hyjnë në fabrikën e re. Protesta është ndërprerë vetëm pas ndërhyrjes së policisë, e cila ka shoqëruar në komisariat disa prej banorëve. Sipas policisë, persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të vogël lënde eksplozive në fabrikë. Nuk ka pasur dëmtime në njerëz por vetëm dëme të vogla materiale. Ekspertët kanë thënë se sasia e tritolit mund te ketë qenë deri në 400 gramë. Ky është rasti i dytë që vendoset eksploziv në këtë fabrikë, gjë që përbën një panik të përhershëm për banorët pasi kanë frikë se po te vendosen sasi më të mëdha mund të dëmtohen edhe ata vetë. Burime të policisë së Krujës bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje rojet e fabrikës, të cilët janë shprehur se nuk kanë vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë. Ndërkohë që policia po heton në disa pista, ku më të mundshmet janë personat e shumtë që janë kundër ndërtimit të fabrikës në atë vend. Pista e dytë ka të bëjë me pakënaqësitë që mund të ketë ndonjë nga ish-punonjësit.
Atentat para derës së shtëpisë, plagoset 33-vjeçari
Një 33-vjeçar ka mbetur i plagosur nga një goditje me armë zjarri ndërsa kthehej në shtëpinë e tij gjatë natës. Sipas burimeve policore, ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi ndaj Besmir Hasanajt, dy persona kishin zënë pritën dhe po e prisnin për ta vrarë ndërsa kthehej në shtëpi. Por fatmirësisht, plumbi ka arritur ta godasë vetëm në këmbë, duke arritur të shpëtojë për jetën. Policia dyshon se shkak për këtë është bërë një konflikt i mëparshëm mes 33-vjeçarit dhe Dritan e Zamir Anamlit të moshës rreth 30 vjeç, që i kishin zënë pritë kanë qëlluar me armë në drejtim të tij. Të dy autorët e krimit janë larguar menjëherë nga vendngjarja në drejtim të paditur pasi kanë kujtuar se e kanë eliminuar shënjestrën e tyre. Sipas policia ngjarja ndodhi për hakmarrje. Vazhdon kërkimi për kapjen e dy autorëve të plagosjes.

Zhduket prej 72 orësh 19-vjeçarja, familjarët denoncojnë në polici

Një vajzë në moshën 19-vjeçare është denoncuar si e zhdukur në rajonin e policisë së Kurbinit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 19-vjeçarja A. Paja, lindur dhe banuese në fshatin Gjormë të rrethit të Kurbinit, është denoncuar nga familjarët e saj, të cilët thanë se vajza e tyre mungon që prej tri ditësh. Fillimisht familja e së resë ka bërë përpjekje vetë për të gjetur vendndodhjen e vajzës, duke kërkuar tek të afërmit, fqinjët dhe miqtë e tyre. Por kur kanë humbur çdo shpresë, ata kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë. Burimet policore shprehen se kanë nisur kërkimet për gjetjen e shtetases A. Paja, por deri mbrëmjen e së shtunës nuk ka pasur asnjë gjurmë. Kontaktet telefonike janë të pamundura, ndërkohë që po kryhen kërkime në të gjithë rajonin e Kurbinit. Vajza ka qenë e punësuar dhe kthehej pasdite në shtëpi, gjë që nuk ka ndodhur katër ditë më parë. Policia tha se po punohet në disa pista, pa përjashtuar edhe mundësinë e rrëmbimit. Sipas të dhënave zyrtare, fotografia e 19-vjeçares është shpërndarë në të gjitha komisariatet e policisë.

Përmbyset kamioni me inerte, bllokon rrugën nacionale

Një kamion i ngarkuar me inerte është përmbysur për pasojë ka mbetur i plagosur shoferi. Ngjarja ka ndodhur dje në aksin rrugor Elbasan-Peqin, kur një kamion me targa EL 0361C, është përmbysur duke zënë edhe rrugën për disa orë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e aksidenti ndërsa ka transportuar në spital drejtuesin e kamion. Sipas policisë mësohet se nga hetimet e para dyshohet që kamioni të jetë përmbysur për shkak të shpejtësisë së tej normave të lejuara me të cilën po udhëtonte.

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›