Mbipopullohet Kakavija, 20 mijë emigrantë hyjnë brenda dy ditësh
KAKAVIJE - Fluksi i madh në ardhje i emigrantëve shqiptarë, e ka shndërruar Kakavijën në zonën më të populluar dy ditët e fundit. Gjatë fundjavës kanë hyrë në Shqipëri përmes Kakavijës rreth 22 mijë shtetas si dhe 5 mijë automjete. Situata është menaxhuar dukshëm nga ana e policive kufitare nga të dy anët e kufirit. Lehtësirat janë hasur sidomos në mungesën e një kontrolli të detajuar të pasaportave të personave që qarkullojnë në të dy anët e kufirit. Takimi i para tri ditëve në Kakavijë mes drejtuesve të lartë të dy policive kufitare, krijoi mundësinë e aplikimit të kontrollit të njerëzve përmes sistemit “Shengen”. Kjo do të thotë se të gjithë personat që kalojnë në të dy anët e kufirit u vendoset vula në pasaportë, pa u kaluar më parë në kontrollin e imtësishëm në kompjuter siç ka ndodhur herët e tjera. Kjo krijon lehtësira për kontrollorët e të dy policive kufitare dhe nuk krijon radhë dhe konfuzion tek njerëzit. Për drejtuesit e policive të të dy vendeve, kjo praktikë do të jetë e vlefshme vetëm për periudhën e tanishme me fluks të personave ndërsa në periudha normale, do rikthehet sërish kontrolli i pasaportave përmes sistemit kompjuterik. Ajo që bie në sy gjatë dy ditëve të fundit është numri në rritje i personave që dalin nga territori shqiptar në atë grek, duke sjellë një numër gati në 5 mijë gjatë dy ditëve të fundit. Kjo shpjegohet me faktin e kalimit të pushimeve në bregdetin helen të një numri të konsiderueshëm të turistëve shqiptarë. Sipas burimeve zyrtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është konstatuar një numër gjithnjë e në rritje i personave që shkojnë në Greqi për të kaluar periudhën e pushimeve. Ministria e Punëve të Brendshme të Greqisë lëshoi në fillim të verës një qarkore, sipas së cilës lejohen të kalojnë kufirin për në vendlindje dhe ata emigrantë që nuk kanë përfunduar procesin e pajisjes me leje-qëndrimi në shtetin grek. p.n