E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, ligj për pasaportat e vjetra

 

BLEDAR HOTI

Qeveria mund të nxjerrë një ligj të veçantë për nxjerrjen jashtë ligjit të pasaportave aktuale me jashtë shtetit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një prononcim për median bën të ditur se Ministria e Brendshme ka gati projektligjin, i cili parashikon nxjerrjen jashtë ligjit të pasaportave aktuale që përdoren për të dalë jashtë Shqipërisë. Një masë e tillë mund të ndërmerret nga ana e qeverisë nëse shikohet se procesi nuk po shkon në ritmin e duhur. Numri dy i Ministrisë së Brendshme shprehet se ritmet aktuale për aplikimin e këtij dokumenti biometrik janë të kënaqshme. Por një ligj i tillë mund të miratohet vetëm në rast se konstatohet se bie ritmi i aplikimeve. “Besoj se do ta nxjerrim vendimin, ai është i shkruar nga ministria, por i takon qeverisë shqiptare ta vlerësojë oportunitetin se kur duhet të dalë vendimi, por qytetarët duhet ta dinë që është më e mirë kjo pasaportë, dhe shumë mirë të kenë atë, dhe baza jonë e të dhënave ia ofron të gjitha mundësitë për të kontrolluar, përveçse pasaporta kontrollohet dhe vetë. Pasaporta, karta janë dokumente që verifikohen me vetveten, në kuptimin e disa parametrave të kontrollit, standarde të nivelit të parë, të nivelit te dytë e të tretë. Por, pastaj nëse do të duhet të kontrollohet me qendrën tonë të personalizimit, që është një qendër supermoderne”, deklaroi Poni. Ministra ka nxjerrë një urdhër se afati i pasaportave aktuale për t’u përdorur mund të jetë viti 2011, por nxjerrja e një ligji të veçantë, që mund të miratohet nga Kuvendi, apo si një akt i veçantë i Këshillimit të Ministrave, shihet si një nxitje që shtetasit të aplikojnë sa më parë. “Nëse deri në fund të vitit të ardhshëm, mbi 1 milion shtetas shqiptarë nuk do të jenë të pajisur, atëherë do të jetë qeveria që do të marrë masa për përmbushjen e këtij detyrimi”, tha Poni. Pajisja e dokumenteve të reja të identifikimit është një nga kushtet kryesore të vendosura nga Komisioni Evropian për procesin e integrimit të vendit tonë. Mos pajisja e plotë e shtetasve me këtë dokument të ri dhe cilësor është kushti kryesor i BE-së ndaj qeverisë shqiptare për procesin e liberalizimit të vizave. Gjatë kësaj periudhe të stinës së verës është vënë re një shtim i aplikuesve, për shkak mbërritjes në Shqipëri të emigrantëve. Deri më tani kanë aplikuar mbi 80 mijë vetë për pasaporta biometrike. Ndërsa numri i personave që kanë blerë një kupon për pajisjen me letërnjoftimin elektronik, sipas Postës shqiptare është mbi 1 milion e 300 mijë. Për t’u pajisur me letërnjoftim elektronik (kartë identiteti), shtetasit shqiptarë duhet të paguajnë 1200 lekë, ndërsa për pasaportat biometrike çmimi që duhet të paguhet është 6 mijë lekë të reja. Dokumenti që po përdoret për pajisjen e shtetasve shqiptarë është shumë specifik dhe që është aplikuar në vende të pakta të BE-së.

Kushti i BE për liberalizimin e vizave
Pajisja me dokumentet e reja të identifikimit shihet edhe si nga lehtësirat që mund të ketë Shqipëria për të lëvizur pa viza drejt vendeve të BE-së. Pasaporta biometrike mban “peng” edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt Perëndimit. Kështu mosdhënia e rezultatit nga ky proces, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, bëri që Komisioni Evropian të shtyjë për në janar të vitit të ardhshëm vlerësimin e tij për procesin e liberalizimin e vizave me BE-në. Maqedonia fqinje ka përfituar nga vendimi i KE-së për liberalizmin e vizave, kjo për faktin se brenda një periudhe të shkurtër u pajisën 200 mijë shtetas maqedonas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›