E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimet nga ushqimet tani edhe për shkak të ujit të ndenjur



Emanuela Sako

Konsumimi i ujit të pijshëm mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin në rast se nuk mbahet në temperaturë të ulët. Përveç ushqimeve, një tjetër shkak për helmime është dhe konsumimi i ujit të ndenjur dhe qëndrimit në temperaturë të lartë. Komplikacionet që shkakton uji nuk njihen shumë nga konsumatorët, të cilët i kushtojnë më shumë rëndësi ushqimit dhe më pak ujit. Specialistët e Drejtorisë së Higjienës, bëjnë të ditur se konsumimi i ujit mund të jetë i rrezikshëm në rast se është i ndenjur prej disa ditësh apo nëse nuk është ruajtur në temperaturë të ulët. Në këtë mënyrë uji do të ruajë freskinë dhe nuk lë vend për shtimin e krijimit të baktereve, pavarësisht se është i ambalazhuar. Mjekët infeksionistë shprehen se numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes mjekësor si pasojë e helmimit ushqimor rritet së tepërmi në këtë stinë. Shkak për këto helmime apo intoksikacione janë bakteret e salmonelës dhe shigelës, që gjenden në ushqimet. Për të shmangur këto probleme shëndetësore mjekët kërkojnë të bëhet kujdes edhe në përdorimin e ujit të pijshëm. Këto lloje infeksionesh apo helmime manifestohen me diarre, të vjella dhe temperature.
Temperaturat
Temperaturat e larta arrijnë të ndryshojnë balancën e përbërjes organike të ujit dhe në këtë mënyrë ndodh ndotja e ujit të pijshëm. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë vetëm për ujin e pijshëm që rrjedh në çezma, por edhe për ujin e ambalazhuar. Prandaj qytetarët duhet të tregohen më të kujdesshëm kur blejnë ujin e ambalazhuar dhe të mos e blejnë në pikat e tregtimit ambulator, të cilat ekspozojnë në diell produktet. Mjekët infeksionistë flasim për shtim të rasteve të qytetarëve me helmim ushqimi. Ata pohojnë se janë rritur ndjeshëm rastet nga helmimet ushqimore, por edhe nga uji. Mjekët infeksionistë japin këshillat e nevojshme, për përdorimin e ushqimeve dhe bëjnë apel për të mospërdorimin e ushqimeve të blera nga shitësit ambulatorë. Specialistët theksojnë që qytetarët duhet të kenë kujdes edhe për ujin e pijshëm. Ata duhet të sigurohen që uji të jetë i freskët dhe jo i ndenjur. “Uji që rri mbi një ditë nuk duhet të konsumohet për të pirë. Ushqimet që gatuajmë është mirë të konsumohen brenda vaktit. Mosngrënia e ushqimeve të shitësve ambulatorë, nuk rekomandohet të merret, as uji tek këta shitës ambulatorë, pasi dhe uji ka kushtet e mbajtjes së tij. Duke ndenjur në diell dhe ai bëhet shkak për helmimet ushqimore, vezët e ziera, salsiçet”, - theksoi mjekja infeksioniste Alma Hoxha.
Rastet
Rastet e personave të prekur janë trajtuar në Spitalin Infektiv, i cili çdo ditë pret një numër të lartë qytetarësh, të cilët shkojnë në gjendje të rëndë. Të gjithë pacientët rezultojnë se kanë konsumuar produkte të prishura ose që nuk janë mbajtur në temperaturat e duhura në frigoriferë dhe kanë shkaktuar probleme shëndetësore. Specialistët bëjnë thirrje që qytetarët duhet të kenë kujdes në konsumimin e ushqimeve dhe lëngjeve, qoftë ato që blejnë në shtëpitë e tyre, apo konsumit në lokale dhe restorante. Mjekët shprehen se duhet pasur kujdes, pasi ato mund të bëhen shkaktar për helmime, të cilat janë të rrezikshme për jetën. Më të rrezikshme janë produktet ushqimore blegtorale, por pa përjashtuar frutat, perimet dhe mishin. Këto produkte shiten në treg në ambient të hapur dhe pa mbajtur një temperaturë konstante. Specialistët shprehen se tregtimi duhet të bëhet në ambiente të mbyllura që të mos kenë kontakt me tymin e rrugës, të mbahen në frigoriferë dhe larg mizave apo mushkonjave. Në të kundërt, këto ushqime mund të bëhen rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve. Madje, për shkak të këtyre problemeve, mjekët raportojnë rastet e para që janë drejtuar në spitale me simptoma të helmimit na ushqimet.

Studimi, copat e akullit përbëjnë rrezik për jetën

Sipas një studimi të bërë nga specialistët rezulton se copat e akullit që ofrohen nëpër bare dhe restorante përbëjnë rrezik për qytetarët. Specialistët vënë në dukje se nga kontrollet që janë bërë në bare dhe restorante rezulton se akulli që përdoret për ftohjen e lëngjeve apo të ujit të pijshëm përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ata shpjegojnë se punonjësit në këto vende publike nuk i kushtojnë shumë rëndësi higjienës së ujit që mbajnë për të ftohur lëngjet, pasi në dukje të parë akulli duket se i vret bakteret e dëmshme. Uji i ngrirë mban bakteret në gjendje të pazhvilluar, por në momentin kur ato treten me lëngjet e frutave, pijeve alkoolike apo në ujë, ato janë njëlloj të rrezikshme si në çastin fillestar. Specialistët shprehen se ndotja bakteriale shkakton probleme të shumta tek konsumatorët, të cilët janë të rrezikuar nga konsumimi i përditshëm i lëngjeve. Aktualisht, Drejtoria e Higjienës ka bërë të ditur se po kryen monitorimin e ujit të pijshëm apo ujit të pishinave për ndotjet bakteriale që shkaktohen nga ujit. Specialistët kanë këshilluar punonjësit e bareve dhe restoranteve që të kenë kujdes në enët e përdorura për të mbajtur akullin dhe njëkohësisht, të tregohen të kujdesshëm që uji të jetë i freskët. Në të kundërt, qytetarët rrezikojnë që të kalojnë në helmim apo të kenë të vjella dhe diarre.

Mjeku Stroni: ”Nëse përhapet AH1N1, në dispozicion i gjithë Infektivi”

Spitali Infektiv do të jetë tërësisht në funksion të pacientëve që do të preken nga virusi i gripit të derrit. Të gjitha dhomat e shtrimit do të përshtaten vetëm për pacientët prekur me virus, por kjo do të ndodhë vetëm nëse do të ketë fluks pacientësh.
Vendi ynë ka marrë masat për përballimin e situatës nga përhapja e gripit të derrit. Spitali Infektiv në QSUT ka krijuar kapacitetet dhe dhomat e shtrimit në të cilat do të trajtohen pacientët që do të rezultojnë me virusin AH1N1. Mjeku Infeksionist në Spitalin Infektiv, Gentian Stroni shprehet se pranë këtij spitali janë ngritur 3 dhoma shtrimi me nga 2 shtretër, të cilat kanë pritur rastet e infektuara. Sipas tij,pacientët do të qëndrojnë në këto dhoma nën kujdesin e mjekëve dhe pa praninë e të afërmve për shkak të përhapjes së virusit nga njëri tek tjetri. Ndërsa vetë mjekët kanë marrë masat e nevojshme si maskat dhe dorashkat. Ndërsa në katin e parë të Infektivit ndodhet dhoma e diagnostikimit për personat e dyshuar. Në këtë dhomë merren mostra për pacientët dhe më pas bëhet ekzaminimi i tyre. Stroni shprehet se në rast se do të ketë shtim të rasteve spitali Infektiv do të vendoset tërësisht në funksion të të prekurve nga virusi. Ndërkohë që bodrumi i spitalit po përshtatet për krijimin e dhomave të posaçme për trajtimin e të prekurve. Mjeku Stroni bën të ditur se po pritet ardhja e vaksinës, për të cilat Ministria e Shëndetësisë do të bëjë porositë për blerjen, e cila pritet të vijë në muajin shtator. Sipas tij, ende nuk dihet se sa do të jetë tarifa e vaksinës që do të jetë e kufizuar. Tashmë pritet që të bëhet verifikimi i 15 personave të dyshuar me virus, të cilat pritet të vijnë nga Rumania. Numri i të prekurve me AH1N1 në vendin tonë ka shkuar në 8 persona, ndërsa janë mjaft mostra të marra që mendohet të jenë mbi 300 të tilla.

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›