Rikthehen maskat, i grabitin makinën në mes të ditës
Tre persona të armatosur kanë mundur t’i vjedhin automjetin një qytetari. Grabitja me armë ndodhi dje në aksin rrugorë Pukë-Shkodër në vendin e quajtur Qafë-Qele, kur tre persona kanë ndaluar një person me iniciale T. V., dhe nën kërcënimin e pistoletës i kanë vjedhur atij makinën. Menjëherë i dëmtuari T. V., ka lajmëruar policinë ndërsa ka kryer kallëzimin për grabitjen e makinës. Sipas deklaratës së tij kanë qenë tre persona të cilët i kanë vënë atij pistoletën në kokë me qëllim që ai tu jepte atyre makinën. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para është bërë i mundur identifikimi i autorëve dhe po punohet për kapjen e tyre.
E sulmon demi, plagoset rëndë 19-vjeçari
Një 19-vjeçar është sulmuar nga demi duke u plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Gojan i Madh të Pukës, kur Paulin Lleshi, 19 vjeç, është goditur nga demi. Mësohet se Lleshi ka qenë duke u kujdesur për demin kur ky i fundit i ka ngulur atij brirët në pjesën e parkut duke e dëmtuar rëndë. Adoleshenti u transportua menjëherë në spital po mjekët u shprehën se gjendja e tij ishte e rëndë duke kërkuar ndihmën e strukturave për transportimin e të riut me helikopterë drejt spitalit të Tiranës. Pas kërkesës një helikopter ka bërë të mundur transportimin e 19-vjeçarit drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Librazhd, bie në humnerë makina, humbin jetën bashkëshortët
Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur dje në Librazhd. Ngjarja rrugore ndodhi dje në aksin Polis-Gureshpatë kur një makinë tip “Fuoristradë” ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë hetuesit e aksidenteve, ndërsa transportuan drejt spitalit personat që ndodheshin ne makinë. Mësohet se një grua dhe bashkëshorti i saj kanë ndërruar jetë pak minuta më vonë. Policia bëri të ditur se dyshohet që drejtuesi i mjetit të ketë humbur kontrollin duke rënë në humnerë megjithatë po punohet për të zbardhur rrethanat e aksidenti që i mori jetën dy personave dhe plagosi dy të tjerë.
10 Gusht 2009