E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushe-Kruje policia zbulon lende plasese dhe municione

Forcat e policisë së Fushë Krujës kanë zbuluar sot, një sasi lëndësh plasëse dhe municioni që dyshohet se kanë lidhje me shpërthimet e kohëve të fundit në afërsi të fabrikës së çimentos.

Sipas informacioneve të Drejtorisë së Policisë së qarkut, lëndët plasëse, disa prej të cilave të përgatitura për shpërthim janë gjetur sot pasdite, të fshehura në një banesë në fshatin Zallë, si dhe në një guvë natyrore shkëmbore, pranë këtij fshati.

Sipas të dhënave paraprake, në listën e objekteve shpërthyese të zbuluara nga policia bëjnë pjesë dy predha kundërtanke, 18 mina kundërtanke, 21 kuti me ndezësa, 100 copë kapsolla detonatore, 3.000 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 19 shufra me lëndë plasëse, 120 metra fitil zjarrpërcjellës, 2 arka me tritol me peshë të përgjithshme 75 kg, si dhe dy pako të përgatitura për shpërthim me 10 kallëpa tritol gjithsej.
Burimet bënë të ditur se po punohet për të identifikuar personat që kanë lidhje me arsenalin e zbuluar.

Që nga fillimi i muajit mars, në afërsi të fabrikës së çimentos në Fushë Krujë kanë ndodhur 8 raste shpërthimesh me lëndë eksplozive, ndërsa disa ditë më parë forcat e policisë arrestuan pesë persona që dyshohet se kanë lidhje me këto ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›