E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë Krujë, ujë të papastër në burg

 

FUSHE KRUJE - Prej disa ditësh të burgosurit e Fushë-Krujës kanë blerë ujë të pijshëm jo të pastër në dyqanin e institucionit. Këtë fakt e pohuan vetë të dënuarit që ndodhen në këtë burg si dhe familjarët e tyre, të cilët thanë se uji me bidonë plastike 8 litërsh të vulosur që blinin të afërmit e tyre ishte jashtë çdo cilësie dhe mbante erë të keqe. Ky fakt ka sjellë reagimin e të burgosurve, çka ka detyruar institucionin që të blinte një sasi të konsiderueshme bidonësh me ujë dhe t'i shpërndante falas për të dënuarit, në kompensim të ujit jashtë parametrave që ata kishin blerë. Burime nga të burgosurit pohojnë se uji me përmbajtje të lartë algash ishte sjellë në dyqanin e institucionit rreth dy javë më parë dhe iu ishte shitur atyre sipas kërkesave që i dërgonin shitësit. Por pasi kanë marrë ujin në qelitë e tyre të dënuarit kanë vënë re se ai ishte i një cilësie të dobët, jo i pijshëm dhe mbante erë të keqe. Ndërkohë kapakët e bidonëve ishin të vulosur rregullisht nga fabrika. Kjo është bërë shkak që ata të reagonin ashpër, duke njoftuar autoritetet e burgut, të cilët kanë konstatuar se shqetësimi i të burgosurve ishte i drejtë. Pas kësaj, funksionarë të burgut kanë vendosur që të kompensonin të burgosurit, duke iu dërguar nëpër qeli një sasi të konsiderueshme uji të pijshëm, i cili ishte blerë me fondet e institucionit. Prej disa kohësh të burgosurit që vuajnë dënimet në Fushë Krujë plotësojnë nevojat e tyre për ujë nëpërmjet një pusi, që është shpuar pak kohë më parë në territorin e burgut. Burime zyrtare nga burgu pohojnë se megjithëse uji i pusit plotëson të gjitha standardet higjieno-sanitare, një pjesë e të dënuarve preferojnë të blejnë ujin e pijshëm.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›