Masakra, 35 dëshmitarë: Si e vrau Dajti policin e parë
Trazhgim Sokolaj
Krimet e Rënda sigurojnë 35 dëshmi që hedhin dritë mbi masakrën e ndodhur në Durrës më 7 gusht 2009, ku i shumëkërkuari Dritan Dajti ekzekutoi me armë zjarri katër oficerë të policisë. Prokuroria është përqendruar më tepër në momentin e parë të përballjes së të kërkuarit me katër oficerët e policisë. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi mësohet se agjentë të policisë pjesëmarrës në aksion, por edhe dëshmitarë të tjerë okularë në ngjarje, kanë pohuar se momenti i parë i ngjarjes, ka qenë kur Dritan Dajti, ka qëndruar i vetëm në makinë pasi tre miqtë e tij kanë dalë jashtë mjetit dhe janë nisur drejt pallatit ku banonte i kërkuari. Në këtë kohë, komandanti i skuadrës së operacioneve speciale GOS, Fatos Xhani, ka dalë para makinës së të kërkuarit dhe ka lëvizur në drejtim të derës së shoferit në krah të majtë të saj. Sipas dëshmitarëve, oficeri është afruar tek dera e drejtuesit të furoristradës, e ka hapur atë dhe duke mbajtur një dokument policie në dorë dhe armën në dorën tjetër, ka bërtitur: "Ndal policia!". "Dritan Dajti, që ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, i ka drejtuar pistoletën Fatos Xhanit për ta qëlluar, por efektivi i policisë është shmangur. Ai ka mbyllur derën e shoferit të mjetit, të cilën e kishte hapur më parë dhe është zhvendosur në të djathtë të tij, duke dalë tek dera e pasme e fuoristradës", kanë pohuar dëshmitarët okularë nga vendi i ngjarjes, në rrëfimet e tyre për organin e hetimit. Por duket se Dritan Dajti ka qenë i vëmendshëm. Ai ka ndjekur me dy pistoleta në duar lëvizjet e Fatos Xhanit dhe sapo ai ka dalë para dritares së pasme të automjetit, Dajti e ka qëlluar në pjesën e majtë të kokës duke i shkaktuar vdekjen. Sipas dëshmitarëve, i shumë-kërkuari ka shkrehur armën e tij dy herë në këtë moment, duke i shkaktuar vdekjen komandantit të skuadrës policore, që ishte vënë në ndjekje të tij. Pak ditë më parë, gjatë takimit me avokatin e tij mbrojtës, Dritan Dajti ka pohuar alibinë e tij se efektivat e policisë kishin qenë pa rroba të forcave të rëndit. Sipas pretendimit të Dajtit, ai kishte qëlluar me armë duke menduar se personat e armatosur dhe të maskuar që po afroheshin tek mjeti i tij ishin grabitës. Kjo alibi sipas Pro-kurorisë nuk qëndron për shkak se 35 dëshmitarë okularë të ngjarjes, banorë të zonës dhe pjesëmarrës në aksion, konfirmojnë se Fatos Xhani ishte prezantuar para se të qëllohej nga i shumë-kërkuari. Dajti vrau edhe oficerët Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska.