Fushe-Kruje zhduket ish-polici

Një 46 vjeçar është zhdukur prej tre ditësh nga shtëpia, ndërkohë që familjarët kanë bërë denoncimin në polici. Anton Prendi, aktualisht punëtor në fabrikën e çimentos në Fushë – Krujë, ka dalë si zakonisht nga banesa e tij të dielën në mëngjes dhe nuk është kthyer më. Familjarët kanë bërë kërkimet e tyre në terren dhe tek të afërmit e tjerë, por s’kanë gjetur asnjë shenjë jete. Në këto kushte ata i janë drejtuar policisë, madje duke ngritur edhe dyshimet që ai mund të jetë marrë peng. Të afërmit thonë, se Antoni, baba i tre fëmijëve, nuk ka patur probleme apo konflikte me të tjerë persona, por është vëllai i një të dënuari për vrasje, prej 13 vitesh, i cili aktualisht ndodhet në burg. Nga policia e Fushë Krujës thuhet se po bëhen kërkimet për këtë person, por nuk kanë ndonjë informacion të qartë se çfarë mund të ketë ndodhur me të.