Futboll, Kuzhe: Nje sukses zbulimi i talenteve në Greqi
TIRANë- Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, kroati Josip Kuzhe, ka mbetur i kënaqur nga grumbullimi tre ditor me talentet shqiptare në Greqi. Referuar njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri Kuzhe ka dhënë sot një konferencë për shtyp në Athinë, për mediat greke dhe shqiptare, gjatë së cilës ka pohuar se "në përfundim të grumbullimit që startoi në datën 18 janar u evidentuan disa talente shqiptare që jetojnë në Greqi". Gjatë këtyre ditëve, ka thënë trajneri i kombëtares shqiptare, kam parë një interesim të madh të lojtarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë të veshin fanellën kuqezi. Ai ka mbetur i kënaqur nga kjo mënyrë e re organizimi për evidentimin e lojtarëve kandidatë për ekipet kombëtare. “Federata Shqiptare e Futbollit ka zgjedhur mënyrën më të mirë për të ndjekur dhe evidentuar këto lojtarë që luajnë jashtë Shqiperisë”, ka vijuar Kuzhe. Sipas FSHF-së gjatë këtyre 3 ditëve janë grumbulluar rreth 150 lojtarë të datëlindjes 1990-1993. "Zyra e talenteve në Greqi edhe në të ardhmen do të vazhdojë seleksionimin e lojtarëve shqiptare. Ndërkaq evidentimi i lojtarëve do të vazhdojë sërish në disa shtete të Europës”, përfundon njoftimi i FSHF-së. (d.b/BalkanWeb)