Rrëfimi për dy shtete

Një ditë pasi që tërmeti prej 7.0 shkallësh të Rihterit goditi Haitin, evangjelisti i krishterë, Pat Robertson, nxiti tërbim, me deklaratën se historia e katastrofave natyrore në Haiti është rezultat i “paktit me djallin”, të cilin e kanë lidhur banorët e këtij vendi para dy shekujve.
Si ndryshe të shpjegohen vuajtjet e Haitit, përderisa Republika Dominikane, e cila ndan së bashku me Haitin 30 mijë km katrorë të ishullit Hispaniola në Karaibe, ka një jetë relativisht të mirë? “Ishulli Hispaniola është një ishull. Republika Dominikane është e prosperuar, e shëndetshme, me plot qendra turistike. Haiti është i zhytur në varfëri”, theksoi Robertson.
Mënyra e të menduarit e Robertsonit është e dyshimtë, por dallimet mes dy vendeve janë të pamohueshme. Në indeksin e zhvillimit njerëzor, Republika Dominikane rreshtohet në vendin e 90-të të listës së OKB-së, të përbërë nga 182 shtete. Haiti rreshtohet në vendin e 149-të. Në Republikën Dominikane, kohëzgjatja e jetës së banorëve arrin mesataren prej 74 vjetësh. Në Haiti 61 vjet. Gjasat janë më të mëdha që të mësoni shkrim dhe lexim nëse jetoni në Republikën Dominikane, e më pak gjasa në Haiti, ku pjesa më e madhe e banorëve jetojnë më me pak se dy dollarë në ditë.
Pjesa më e madhe e dallimeve janë gjeografike. Erërat nga verilindja, e me këtë edhe të reshurat, fryjnë në favor të Republikës Dominikane. Klima gjysmë e thatë e Haitit e bën më të vështirë kultivimin e prodhimeve.
Prerja e pyjeve, një problem ky i madh në Haiti, por jo edhe në Republikën Dominikane, vetëm sa e thëllon këtë problem.
Dallimet e tjera janë rezultat i historisë shpesh të dhunshme në Hispaniola.
Në pjesën lindore të Hispaniolas, ju me gjasë do të flitni gjuhën spanjolle; në perëndim, gjasat janë më të mëdha që të flitet gjuha franceze apo kreole, ndarje kjo e cila është rezultat i shekujve të tërë të kolonizimit evropian dhe të betejave të shumta për pushtet.
Kur Cristopher Columbos zbarkoi në vitin 1492, ai e pagëzoi ishullin me emrin La Isla Espanola; ishulli shërbeu si koloni spanjolle dhe si bazë për pushtimet e mëtutjeshëm, përkundër faktit se ishulli kurrë nuk ka sjell ndonjë profit të jashtëzakonshëm. Në vitin 1967, spanjollët formalisht ia dorëzuan pjesën perëndimore francezëve, të cilët investuan më tepër.
Në bazat e dy fuqive në Hispaniola importoheshin skllavë nga Afrika. Kolonitë Santo Domino dhe Saint Domingue zhvilluan demografi të ndryshme. Në bazë të studimit të Librarisë Amerikane të Kongresit, deri në fund të shekullit të 18-të ka pasur rreth 40 mijë pronarë të bardhë të tokave dhe rreth 60 mijë skllevër në koloninë spanjolle, për dallim nga 30 mijë pronarë të mardhë dhe 500 mijë skllevër në koloninë franceze.
Pas fillimit të revolucionit francez, në 1790, u revoltuan edhe skllavet e Francës në Hispaniola; në vitin 1804 ata shpallën pavarësinë dhe Haiti u bë republika e parë në batë e banorëve me ngjyrë. Republika Dominikane nuk është krijuar deri në vitin 1844, jo vetëm si rezultat i pushtetit evropian, por edhe si rezultat i okupimit 22-vjeçar nga ana e Haitit.
Përzierja nga ana e fuqive të mëdha shpesh ka qenë normë. Spanjollët ripushtuan Republikën Dominikane sërish në vitin 1860 dhe gjatë një periudhe në shekullin e 20-të, SHBA-ja pushtoi që të dy shtetet, me pretekstin për të vendosur rregull, gjithashtu, duke pasur parasysh kërcënimin e europianëve, edhe për të vendosur ndikim në Hemisferën Perëndimore.
Politika e brendshme u definua nga puçet e shumta, nga revoltat dhe diktatorët, me ç’rast diktatorët më famkeq ishin Rafael Trujillo në Republikën Dominikane dhe Francoi dhe Jean Claude Duvallier në Haiti.
Juan Bosch, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Republikës Dominikane në vitin 1962, u përmbys nga pushteti vetëm një vit më vonë, pra në vitin 1963. Jean Bertrand Aristid në vitin 1990 u bë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Haitit; ai u përmbys nga pushteti, u kthye sërish, për t’u përmbysur prapë.
Por përderisa dy vendet kishin probleme me demokraci, ato patën zhvillim të ndryshëm ekonomik. Haiti është eksploatuar për një kohë të gjatë nga fuqitë e huaja, fqinjët dhe pushtetarët e vet. Dominikanët më lëkurë më të çelur shikonin nga lartë haitianët me lëkurë më të mbyllët: në vitin 1965, përkundër faktit se Republika Dominikane ishte e zhytur në luftë qytetare, ishin haitianët ata që punonin në fushat në Republikën Dominikane, e jo anasjelltas. Dhe përderisa Trujillo së paku ka nxitur zhvillimin ekonomik të vendit të tij, Duvalier në thelb shiti popullin e tij si punëtorë të lirë, për të punuar në fushat e sheqerit në Republikën Dominikane.
Sot, në mungesë të burimeve dhe me një dëndësi shumë më të madhe të popullatës se Republika Dominikane, Haiti është shteti më i varfër në Hemisferën Perëndimore. Që nga mesi i viteve të 90-ta, OKB-ja ka dërguar një mision paqëruajtës në Haiti, për të ruajtur rregullin në këtë vend, por kushtet e tmerrshme për jetë vazhdojnë. Vuajtjet e Haitit kanë një histori të gjatë: këtu nuk ka nevojë për djall.
(Time)