E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Bie niveli i lirisë ekonomike në botë

Niveli i lirisë ekonomike në botë ka regjistruar rënie vitin e kaluar ndërsa qeveritë ndërhynë për të ndalur krizën financiare. Një lajm i tillë është bërë i ditur nga raporti i Indeksit vjetor për Lirinë Ekonomike publikuar nga Fondacioni Heritage dhe gazeta "The ëall Street Journal". Sipas kësaj renditje, niveli mesatar i lirisë ra 0,1 përqind gjatë vitit të kaluar. Indeksi favorizon vendet që nxisin tregun e lirë. Vendet që shpenzuan më shumë për të mposhtur recesionin u radhitën më poshtë në klasifikim. Shtetet e Bashkuara që shpenzuan miliarda dollarë për paketën e stimulimit të ekonomisë ishin vendi i tetë më i lirë duke rënë nga pozicioni i vendit të gjashtë që mbanin në raportin e një viti më parë. Ndërkaq Shqipëria radhitet në vendin e 53-të për nga liria ekonomike sipas këtij indeksi, duke u vlerësuar me 66 pikë. Niveli i lirisë ekonomike është përmirësuar me 2,3 përqind gjatë vitit të kaluar. gjithashtu Shqipëria radhitet e 25-ta nga 43 vendet e Europës dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore. Raporti konsideron dhjetë kritere në vlerësimin për lirinë ekonomike të një vendi - lirinë për punën, biznesin, tregëtinë, lirinë fiskale, shpenzimet qeveritare, lirinë monetare, lirinë për investime, lirinë financiare, të drejtën e pronës dhe lirinë nga korrupsioni. Sipas këtij raporti, megjithë rënien ekonomike globale, Shqipëria ka qënë në gjendje të mbajë një qëndrueshmëri relativisht të mirë makroekonomike. Vendi ka vepruar për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve thuhet në raport. Por megjithë përmirësimet liria e biznesit në Shqipëri vazhdon të pengohet nga një mjedis rregullator i lodhshëm. Pika më e dobët e Shqipërisë në vlerësimin për lirinë ekonomike është korrupsioni. Megjithatë, në raport vlerësohen hapat e marra nga qeveria në luftën kundër kësaj dukurie. Një pikë tjetër e dobët për Shqipërinë është kriteri i të drejtës së pronësisë, ku përfshihet edhe sistemi i drejtësisë. Sipas raportit Regjistrimi i pasurisë është përmirësuar por siguria e të drejtës së tokës vazhdon të jetë problem në zonat bregdetare ku ka potencial për zhvillimin e turizmit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›