Futboll, Kuzhe:Objektiv për Euro 2012, të fitojmë një pozicion në grup
TIRANë- Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, kroati Josip Kuzhe, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në ambjentet e Federtatës Shqiptare të Futbollit, tha se Kombëtarja shqiptare duhet të ketë objektiv real në këto eleminatore të Euro 2012, të fitojë një pozicion në renditjen në grupin D ku bëjnë pjesë edhe skuadrat e Francës, Rumanisë, Bjellorusisë, Bosnjes dhe Luksemburgut. “Për të thënë objektivat e ekipit Kombëtar nuk është aq e lehtë, pasi si trajner duhet të jem realist dhe në të njëtjën kohë, duhet të jem pozitiv në mendimin tim. Nëse do të flas në mënyrë reale mund të them që futbolli shqiptar është në vazon e pestë dhe për të qenë sa më real objektivi është që ne të përmirësojmë vendin tonë në në renditjen. Pra arritje për ne mund të quhet të arrijmë vendin e katërt apo të tretë. Gjithsesi mendoj se po të punojmë në një atmosferë të mirë dhe pozitive skuadra mund të arrijë disa rezultate mjaft interesante”, u shpreh Kuzhe, i cili shtoi se “vetëm nëse i marrim ndeshjet një nga një mund të kemi një objektiv të saktë për Kombëtaren”. I pyetur nëse edhe kërkesa e drejtuesve të FSHF-së ishte thjesht fitimi i një pozicioni në grup Kuzhe tha se “ne biseduam gjatë shortit dhe presidenti Duka nuk më ka kërkuar asgjë rreth objektivit, megjithëse ishim disi të mërzitur për shortin”. Shmangëm Kroacinë ashtu siç dëshironte Kuzhe, por gjetëm Bosnjen. “Për mua sfida me Kroacinë është diçka e veçantë si nga ana emocionale ashtu edhe si skuadër. Mendoj se Bosnja nuk është niveli i Kroacisë, dhe ndaj tyre mund të luajmë dhe personalisht nuk do të kisha asnjë emocion”, tha Kuzhe. “Nëse më pyesni për një projekt që do të ketë ekipi kombëtar për të ardhmen mund të them se tani unë e njoh Shqipërinë, e njoh Kombëtaren, i njoh lojtarët, e dimë sesi mund të luajme dhe ku mund të arrijmë. Nëse kemi zhvilluar disa ndeshje të mira ndaj Portugalisë apo ndaj Danimarkës, kjo ka ardhur pasi këto ekipe të mëdha kanë pasur shumë nevojë për pikë dhe kanë qenë nën presion. Këtë duhet të arrijmë që të krijojmë tek kundërshtari, presion dhe t’ia bëjmë të vështirë ndeshjen ndaj nesh çdo skuadre. Për këtë duhet që skuadra jonë të jetë më e fortë dhe besoj se mund të arrijmë të marrim disa pikë të rëndësishme”, theksoi Kuzhe. Ndërsa përsa i përket numrit të pikëve që duhet të arrijmë për tu kualifikuar Kuzhe tha se, “për tu kualifikuar duhet të arrijmë në kuotën e 21 apo 23 pikëve dhe kjo është një shifër mjaft e lartë. Duhet të shohim ndeshje pas ndeshjeje dhe mbase me ecurinë e ndeshjeve mund të bëhemi më ambiciozë me objektivat tona. Përsa i përket programit të Kombëtares mund të them se deri para 6 muajsh nuk njihja asnjë lojtar, ndërsa deri tani kemi shfrytëzuar disa ndeshje për të parë lojtarët më cilësorë dhe për të formuar një ekip sa më të fortë”. “Nëse më pyesni për vështirësinë e grupi tonë nga 1-shi tek 10-ta s’mund të përgjigjem lehtë, por mund të them 7 apo 8. Përsa i përket eksperiencës së mëparshme të Oto Bariç me Kombëtaren shqiptare në eleminatoret e Euro 2008 ndaj skuadrave si Bjellorusia apo Rumani, do të përpiqemi të mësojmë nga gabimet e të shkuarës. Bisedova pas shortit me trajnerin e Bjellorusisë dhe ai më tha se tani Shqipëria është skuadër shumë më e mirë se para 4 viteve”, tha Kuzhe duke shtuar se, “Bariç arriti 11 pikë me grupin e tij nuk e di nëse mund ta arrijmë apo jo atë shifër”. Duke qenë se sot në futbollin ndërkombëtar diferencën në renditje e bëjnë pikët e fituara jashtë fushe Kuzhe tha se, “ Nëse ndaj Luksmeburgut nuk marrim 6 pikë sigurisht që do të jetë një dështim. Ndërsa për të fituar pikë jashtë mund të fitojmë kudo, pasi nuk dua të them se është më e lehtë të fitosh pikë në Bjellorusi, Rumani, apo Bosnje. Këto skuadra janë mjaft të forta në fushën e tyre, por gjithashtu kanë edhe pika të dobta dhe ne duhet të paraqitemi si një ekip serioz të gjejmë pikët e dobta të kundërshtarit dhe mund të fitojmë pikë kudo”. “Nëse do të kishim skuadra me emër nga Evropa perëndimore, apo ekipe me emër, jo ekipe lindore, do të kishim një atmosferë më ndryshe rreth ndeshjeve dhe lojtarët do të qenë më të motivuar. Por krijimi i atmosferës së një ndeshjeje nuk krijohet vetëm nëpërmjet emrit të kundërshtarit, por edhe nëpërmjet lojës tonë, paraqitjes sonë. Nëse do të arrijmë të zhvillojmë takime të mira do të krjojmë një atmosferë pozitive rreth Kombëtares, do të sjellim edhe entuziazëm tek tifozët”, u shpreh Kuzhe. “Kombëtarja ka nevojë për rinovim dhe rreth kësaj Kuzhe tha se, “ Kombëtarja shqiptare ashtu si çdo përfaqësuese tjetër ka objektiva afatshkurtër dhe afatgjatë. Ne po përpiqemi të fusim në Kombëtare disa lojtarë të rinj, t’i integrojmë ata në ekip që me këto lojtarë të ndërtojmë të ardhmen”. Në përfundim Kuzhe u shpreh se, “menjëherë pas shortit u përpoqëm të ndërtonim startegjinë tonë për kalendarin e ndeshjeve. Në 19 shkurt do të shkojmë në Luksemburg ku do të vendosim se cilët kundërshtarë do të kemi të parët”. (d.b/BalkanWeb)