E Diel, 1 Nëntor 2026

Futboll, hidhet sot në Nion shorti për 1/8 e Liges

TIRANë- Sot, në orën 12, do të hidhet në Nion (Zvicër) shorti për fazën e të tetave të finales së Champions League. Në vazon e parë ndodhen skuadrat që janë kualifikuar të parat dhe ku të gjithë dëshirojnë të shmangin tre ekipet Angleze, çelsin, Mançesterin e Arsenalin. Veç tyre, në këtë vazo ndodhen edhe ekipe si Reali, Barcelona, Sevilja, Bordoja dhe Fiorentina. Në bazë të rregullave, në këtë fazë nuk mund të ndeshen skuadra nga i njëjti vend si edhe ato që kanë qenë bashkë në një grup. Në vazon e dytë, Milani, Interi dhe Bajerni i Mynihut janë tre skuadrat më të vështira. Gjithsesi, aty ndodhen edhe ekipe si Porto, Olimpiakos, CSKA e Moskës, Lioni apo Shtugarti. Milani i Leonardos mund të ndeshet vetëm me 6 ekipe të vazos së parë, përveç Fiorentinës dhe Realit të Madridit, ndërsa Interi nuk mund të shortohet vetëm me Barcelonën dhe sërish Fiorentinën. Ndërsa Bajern i Mynihut është e vetmja skuadër që nuk mund të përballet me Bordo të Loran Blank, me të cilën ishte në një grup. Rreziku më i madh duket për ekipet italiane, të cilat vuajnë gjithnjë përballë atyre angleze. Kjo është hera e fundit që për hedhjen e shortit ka kritere, pasi për çerekfinalet shorti është i lirë. Ndeshjet e para të 1/8-tave të finales së Champions League do të zhvillohen më 16 dhe 17 shkurt 2010 dhe ato të kthimit më 9 dhe 10 mars. Finalja e këtij edicioni do të luhet më 22 maj 2010 në “Santiago Bernabeu” të Madridit. Pas shortit të Ligës së Kampioneve, në orën 13 në Nion do të hidhet edhe shorti i Europa League, ku këtë vit ndodhen skuadra me shumë emër si Juventus, Liverpul, Marsejë apo Atletiko Madrid. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›