E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java XV Dinamo goleadë Vllaznisë në Qemal Stafa

Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë – Dinamo ka arritur fitoren e 13-të këtë sezon, duke mposhtur 4-2 Vllazninë në “Qemal Stafa”. Skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça nuk njeh asnjë ndalesë javë pas jave, duke siguruar një tjetër shkëputje nga ndjekësit e Besës. Në kryeqytet është luajtur një nga ndeshjet më të bukura të këtyre javëve, por në fund kanë qenë blutë ata që kanë arritur të marrin një tjetër 3-pikësh. Sefa shënoi në minutën e 4-t për Dinamon, ndërsa në minutën e 8-të ishte Bakaj që dyfishoi shifrat. Por, Vllaznia u rikthye shumë shpejt në lojë duke realizuar dy herë me anë të Rajoviç e Beqirit në minutat 23 dhe 25. Një goditje e rëndë për Vllazninë, në radhët e së cilës kishte mjaft mungesa, duke nisur me portierin Grima, për të vijuar me Smajlin, Osjen, Sinanin etj. Kuqeblutë kësisoj luajtën pa gjysmën e ekipit ndaj kryesuesve të kampionatit dhe skuadrës më në formë për momentin. Formacioni që hodhi në fushë trajneri Luçi dukej “i arnuar”. Me këtë rezultat, 2-2, ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes, çka të linte të kuptoje se 45 minutat e dyta do të ishin edhe më të zjarrta. Mirëpo, është përsëritur dopieta e pjesës së parë për Dinamon, e cila, përmes Sefës, e ka dërguar në 4-2 rezultatin, i cili ka mbetur deri në fund i pandryshuar. Kjo, qoftë për meritë të bluve, që kanë ruajtur të paprekur avantazhin, por edhe për dobësi të miqve, që nuk kanë mundur dot të shfrytëzojnë ato raste që krijuan në portën e Kotorrit. Në këtë mënyrë, Dinamo mund pastër Vllazninë, duke mbetur e pandalshme në rrugën e saj drejt titullit kampion, në pritje të zhvillimit të ndeshjes së të enjtes, mes Besës dhe Tiranës, për të parë nëse verdhezinjtë do të fitojnë dhe do ta ndjekin me 12 pikë diferencë, apo do të bëjë ndonjë surprizë Tirana në Kavajë, duke e larguar edhe më skuadrën e Shpëtim Duros nga kryesuesit. Sulmuesi lushnjar, me këtë tripletë, është ngjitur në kuotën e 9 golave, 1 më pak se shoku i tij i skuadrës, Elis Bakaj, i cili udhëheq listën e golshënuesve. Skuadra fierake, Apolonia, ka pritur në shtëpi Laçin, në përpjekje për të bërë autokritikë, pas asaj humbjeje shokuese në Peqin, të shtunën e kaluar. Në rezultat, çështë e vërteta ia ka arritur, pasi ka mundur 2-0 kurbinasit, por me lojë ka zhgënjyer jo pak. Këtu kemi parasysh se pjesa më e madhe e ndeshjes është luajtur në gjysmëfushën fierake, ku Laçi ka ushtruar presion të madh, por nuk ka konkluduar dot rastet e shumta. Ndoshta në këtë anim të lojës në favor të miqve ka ndikuar edhe dalja me karton të kuq e Kelmendit të Apolonisë, qysh në minutën e 10-të të lojës. Gjithsesi, falë kundërsulmit të shpejtë, me në krye Bërkiç, Apolonia e ka gjetur dy herë rrugën e golit, duke zhvlerësuar kësisoji gjithçka, edhe volumin e madh të lojës, të krijuar nga miqtë. 2-0 ka fituar skuadra e drejtuar nga Hasan Lika, duke u ripozicionuar në vendin e tretë, në pritje të asaj që do të arrijë sot Tirana në Kavajë. Në Krujë, Kastrioti ka pritur Shkumbinin, me të cilin u ndesh edhe në 1/16 finale të Kupës së 58-të të Shqipërisë. Krutanët kanë shfryrë dufin kësaj here, teksa kanë shënuar plot 4 gola në portën peqinase. Me vetëm një gol për miqtë, rezultati përfundimtar i ndeshjes në fjalë, 4-1, nuk ka lënë vend për komente. Sukses i merituar i Kastriotit, që rigjen fitoren, pas disa rezultateve jopozitive në javët e shkuara. Në Durrës u luajt derbi bregdetar, mes Teutës dhe Flamurtarit. Një gol e ka bërë diferencën në këtë sfidë, që i përket Teutës, e cila ka fituar 1-0 dhe ka marrë 3 pikët. Tjetër dështim për vlonjatët, që janë në pikë të hallit, të fundit në renditje. Një tjetër derbi, i fqinjëve juglindorë, Gramozi-Skënderbeu, u luajt në stadiumin pa tifozë të Ersekës. Pasi kishin barazuar në transfertat e javës së 14-të, kolonjarët me Tiranën në “Selman Stermasi“, ndërsa korçarët me Flamurtarin në Vlorë, ishte radha të sfidonin njëri-tjetrin, me synim të qartë, për të dyja palët, fitoren, të cilën e ka arritur skuadra kolonjare, e drejtuar nga Agim Canaj, pavarësisht se pa tifozë. 2-0 ka fituar Gramozi, i cili kështu konfirmon momentin e tij të mirë dhe rrit shpresat për mbijetesë. Kujtojmë se java e 15-të e superligës do të mbyllet ditën e sotme, me ndeshjen që do të luhet në Kavajë, mes Besës dhe Tiranës.

Rezultatet JAVA XV

Dje

Gramozi-Skënderbeu 2-0
Shënues: Oliveira 49′, Rustemi 71′
Gjyqtar: A.Janku

Apolonia-Laçi 2-0
Shënues: Bërkiç 23, 68
Gjyqtar: B.Pashaj

Dinamo-Vllaznia 4-2
Shënues: Sefa 4′, 48, 52, Bakaj 8 / Rajoviç 23, E.Beqiri 25
Gjyqtar: A.Taullau

Kastrioti-Shkumbini 4-1
Shënues: Kalari 12′, Pema 25′, 76, Abazaj 82 / Pashja 32
Gjyqtar: S.Jareci

Teuta-Flamurtari 1-0
Shënues: Dushku 68
Gjyqtar: E.Peza

(Sot)

Besa-Tirana

Renditja

Nd. Pikë
1. Dinamo 15 41
2. Besa 14 26
3. Apolonia 15 24
4. Tirana 14 23
5. Teuta 15 22
6. Kastrioti 15 19
7. Shkumbini 15 18
8. Laçi 15 17
9. Vllaznia 15 15
10. Gramozi 15 15
11. Skënderbeu 15 14
12. Flamurtari 15 11

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›