Përplasjet për energjisë, ja 280 familjet përfituese
Autori i Lajmit: Silvana BalliuPak ditë pas vendimit të Entit Rregullator për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind nga fillimi i vitit të ardhshëm, Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti zhvilloi një takim me Ministrin e Çështjeve Sociale Spiro Ksera, për gjetjen e formulës së kompensimit. Ministrat Prifti e Ksera diskutuan për mënyrën dhe masën e kompensimit, duke arritur bashkërisht dakord që në skemë të përfshihen 280 mijë familje, duke marrë para sysh që në skemë të përfshihen edhe buxhetorët me pagë nën 35 mijë lekë. Kategoritë që përfitojnë mësohet se janë familjet me ndihmë ekonomike (asistencë sociale), të papunët si dhe buxhetorët që paguhen nën 35 mijë lekë. Me këtë përmbajtje dy ministrat kanë rënë dakord për hartimin e një projektvendimi i cili do të dërgohet në Qeveri për miratim në mënyrë që të fillojë të zbatohet sapo skema e re e rritjes së çmimit të energjisë të vihet në jetë në fillim të janarit të vitit 2010. “Tashmë Qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike dhe garantojmë se shteti do të kompensojë 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë” u shpreh ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind ka shkaktuar reagime, jo vetëm tek konsumatorët familjarë, të cilët preken më shumë, por edhe mes vetë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, (OSSH).
Reagimi i CEZ
Pronari i ri i OSSH, kompania çeke CEZ reagon pas vendimit të ERE për rritjen me 13% të çmimit të energjisë për vitin e ardhshëm dhe jo 23% siç kishte kërkuar ky operator. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp kompania e konsideron jo të drejtë vendimin e ERE-s, i cili sipas saj ka rritur më shumë çmimin për KESH dhe OST dhe më pak për OSSH. “Ne e kuptojmë që të gjitha palët në sektorin e energjisë në Shqipëri kanë nevojë për fonde për punët e tyre, mirëmbajtjen dhe investimet, por vendimin e ERE-s për rritjen dramatike në favor të KESH-it (26%) dhe OST-se (20%) dhe rritjen shumë të vogël për OSSH-në (7.1%) ne e gjejmë të pabalancuar“, deklaron OSSH. Kompania thotë se e shikon këtë vendim si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend. Sipas kompanisë është prezantuar gjithë dokumentacioni dhe provat e nevojshme për të mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke i ofruar ERE-s gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë. Studimi mbi humbjet, i përgatitur nga një auditor i pavarur, i përzgjedhur nga vetë ERE dhe OSSH, për habi nuk u pranua nga ERE. Për këtë arsye ne e konsiderojmë që nuk ka një studim të saktë mbi këtë gjë dhe se vendimi i ERE-s mbi tarifat, i datës 15.12.09, nuk është në përputhje me Deklaratën Rregullatore. Në fund të deklaratës OSSH kërcënon se do të përdorë të gjitha hapat e mundshëm ligjorë brenda vendit e jashtë vendit për të mbrojtur të drejtat e tyre e të konsumatorëve.
Reagimi i Nepravishtës
Amortizimi i aseteve të OSSH-së dhe niveli i lartë i humbjeve kanë qenë arsyet e rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 13%. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta ka shpjeguar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese arsyet pse shqiptarët shpenzojnë aktualisht më tepër se çdo qytetar tjetër i Evropës Lindore për çmimin e energjisë. Ai ka deklaruar se kompania CEZ ka bërë rivlerësim të aseteve pas privatizimit dhe ka konstatuar se vlera e tyre është 10 miliardë lekë më e ulët se ajo e paraqitur nga qeveria para shitjes së OSSH.-së. “Vlera e aseteve përpara privatizimit është vlerësuar me 26 miliardë lekë. Kur u bë rivlerësimi i aseteve, vlera e tyre doli që ishte 16 miliardë. Aktualisht me aplikimin e vetë, CEZ kërkon që të njihet norma e amortizimit për vlerën e aseteve përpara privatizimit dhe jo për vlerën 16 miliardë. Arritëm në përfundimin që rritja e çmimit të energjisë të ishte në masën 13% dhe kjo i garanton atij përveç mbulimit të shpenzimeve edhe një kthim të kapitalit në një masë të konsiderueshme”, shpjegon Nepravishta.
Kategoritë e reja që do të
trajtohen me ndihmë ekonomike
Ministri i Punës, Spiro Ksera siguroi se mbrojtja e shtresave në nevojë është angazhimi i kësaj Qeverie dhe se tashmë vetëm në buxhetin e Ministrisë së Punës, për zërin “kompensim energji elektrike” është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh. “Në VKM që do të përgatitet nga ekspertët do të përfshihen edhe kategoritë e reja që do të trajtohen me ndihmë ekonomike për herë të parë, pas ndryshimeve të parashikuara në ligjin “Për Ndihmën dhe shërbimet shoqërore”” sqaroi Ministri i Punës. Ministrat Ksera dhe Prifti u shprehën se pas përfundimit të punës së ekspertëve dhe përgatitjes së VKM do të bëhen me dije të gjitha grupet e përfitimit, numri i përfituesve dhe kostoja e saktë që do të nevojitet për kompensimin.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009