Shqipëria, mbi interesat partiake
Dallimi thelbësor ndërmjet dy partive të spektrit të majtë, PS-së dhe LSI-së, qëndron në argumentin se e para është e ngërthyer në paragjykimet e partisë-nënë të kohës së diktaturës, ndërsa e dyta ka një vizion të qartë euroatlantik. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka integrimin në emblemë të logos së saj. Ndërsa PS-ja, veçanërisht kur u uzurpua nga mandatpreri Edvin Rama, po e shfaq përherë e më hapur alergjinë e saj ndaj komunitetit demokratik euroatlantik. Tani, në grumbullimet gjithmonë e në flashkje të PS-së, oratorë të saj të rëndësishëm nuk e kanë për gjë të shprehin dufin e tyre me parulla që të kujtojnë bunkerizimin enverist, për interesa vetjake të kupolës pushtetare: „Faktori ndërkombëtar të mos përzihet në punët tona!“. Kështu, dallimi i çiltër ndërmjet integralizmit të I. Metës dhe të prirjes antiperëndimore të Edvinit, përbën tanimnë një vijë të thellë demarkacioni të dy partive të majta, krejtësisht të kundërta për kah vizioni politik. Kësisoj nuk ka asgjë kundërthënëse në aleancën e PD-së me LSI-në. Historikisht, që në fillesat e politikës së re të pasLuftës II Botërore, De Goli në Francë dhe De Gasperi në Itali kanë bërë aleanca me frymëzim ripërtëritjen e vendeve respektive, me partitë e majta të Torezit, në Francë dhe të Toliatit, në Itali. Shembuj të tillë janë të shumtë në koalicionet e pasluftës, në përputhje me idealet parësore të pluralizmit. Por E. Hoxha në Shqipëri, fill pas një orvatjeje dështake për aparenca kinsepluraliste në Mukje, i dha fund bashkëpunimit, sa pa u tharë boja e nënshkrimeve. Zërat autoritarë të emisarëve të Titos në shtabet qendrore partizane, e urdhëruan vasalin e tyre numër një, Enverin, që ta zhbënin atë marrëveshje të sapofilluar. Kjo, veç mohimit të të drejtave kombëtare të Kosovës, që u sanksionuan në Konferencën e Mukjes, qé pikënisja e një pasoje katastrofike për fatet e vendit: Zuri fill lufta civile në Shqipëri, krahas luftës kundër okupatorit. Krimet më të shëmtuara kundër atyre forcave të së djathtës që ishin koherente në luftën kundër pushtuesve, ndodhën bash në këtë periudhë tragjike të fateve të vendit tonë. Lufta e klasave, - pa pasur ende një institucion zyrtar, sikundër pas mbarimit të luftës, - u bë e pranishme në paradigmën „kush nuk është me ne, është kundër nesh“. Shqipëria iu nënshtrua interesave partiake për ta vënë pushtetin në dorë në mënyrë moniste. Dhe përfundoi braktisëse dhe e bunkerizuar. E mënjanuar nga e gjithë bota demokratike dhe jodemokratike.Edvin Rama po ndjek një shembull të keq historik, që nuk është i paprecedent, siç e pamë, në një periudhë para dy dhjetëvjeçarësh. Ndonëse e gjithë bota demokratike, të gjithë monitoruesit ndërkombëtarë, janë të njëzëshëm se zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti, janë më të mirat në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, ai ngulmon se Berisha duhet të hapë kutitë. Nuk e kupton se dr. Berisha nuk është hapës kutish? Atë prerogativë e kishte vetëm KQZ-ja. Edhe ajo, vetëm nëse kishte kontestime nga komisionerët, pjesën më të madhe të të cilëve e kishte PS-ja, (si edhe PD-ja). Kodi zgjedhor, i nënshkruar nga ai, kishte mandatuar komisionerët socialistë, nga më të zellshmit, më të përkushtuarit dhe më kompetentët. Tani ata na dalin tradhtarë!E. Rama, që s’është as deputet, që de jure ka humbur edhe mandatitn e kryetarit të PS-së, ka krijuar një gjendje të tërë paradoksale, me ato grumbullimet protestuese të rrugëve, që po kritikohen rëndshëm gjithandej nga faktori ndërkombëtar. Më 8 dhjetor u ballafaqua me një miting madhështor 500.000 vetash, ndriçimi rrezellues i të cilit i la në errësirë të gjitha ato mbështjelljet e tij të mitingashëve, që rrëgjoheshin njëri pas tjetrit, gjer tek ai treditori që u shndërrua në dytitor! Ana groteske e këtyre shashkave rrugore qëndron në atë se këto kërcënime, - pa të cilat kryetarllëku i tij nuk do të mbahej as de facto,- shoqërohen edhe me ultimatume, njëri nga të cilët është se u liruan të burgosur në atë ditë votimesh!Meqë në këtë çast po lexoj larjet e lyerjet e Blendi Klosit në Durrës, për ta mbajtur me gajret shefin e tij për gjendjen anarkike që mundohet të sendërtojë, që të përligjë se nuk është i çmandatuar, sipas nenit 28 të Statusit të PS-së, po i drejtohem drejtpërdrejt Blendit:Ndër të burgosurit që kanë dalë atë ditë pushimi nga burgu, është edhe ish-bodigardi juaj. Kjo është një procedurë normative e ligjeve europiane. Në vend të një propagande nihiliste që po e dëgjojmë çdo ditë, sqaroni lexuesit se ç’mundi të bënte ish-bodigardi juaj atë ditë: Edhe sikur të kishte vajtur në një qëndër zgjedhore, a mund të hynte brenda sallës së zgjedhjeve, për të bërë ndonjë prapësí? E themi këtë, se në zgjedhjet e kohës suaj, jo vetëm që kanë pas hyrë brenda militantë tuajt, por kanë thyer edhe kutitë e votimit, nga nervozizmi! Këto kuti gjenin vendstrehim edhe në selitë e PS-së. Sikur hijen e këtyre zullumeve të kishte bërë ai, do të çohej menjëherë, para kohe, në vendin e tij të shtëpisë pa qirá, - siç i thonë.Meqë e keni në agjendën e ultimatumeve, përse nuk nxirrni dhe emrat e të tjerëve dhe të na tregoni se ç’kanë mundur të bëjnë në atë ditë zgjedhjesh? Ja ç’argumente keni, për të nxjerrë ultimatume pas ultimatumesh, nga më absurdet! Shqipëria nuk mund të jetë ajo që doni ta poshtëroni ju, për hir të interesave vetjake të një personi!...