Reshjet e borës mbajne te izoluara komunat e thella ne verilindje
TIRANE- Reshjet e dëborës, që nga mbrëmja e djeshme vazhdojnë pandërprerje në verilindje të vendit, kanë bllokuar disa fshtara në rrethet e Kukësit, Tropojës, Pukës e Dibrës. Po punohet për mbajtjen hapur të akseve rrugore nacionale, ku automjetet duhet të kalojnë me zinxhir. Trashësia e borës në qytetin e Kukësit ka arritur rreth 20 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi 50 cm Shtabi i emergjencës civile në prefekturën e Kukësit informon se janë bllokuar komunat e Arrnit, Grykë Cajës e Zapodit dhe disa fshatra në komunat e Bushtricës, Shishtavecit dhe Kalisit. Më e rënduar paraqitet situata në rrethin e Tropojës, ku deri tani janë izoluar 10 fshatra, 7 prej të cilëve në komunën Lekbibaj dhe 3 në komunën Margegaj. Në qytetin e Bajram Currit trashësia e saj ka arritur në mbi 20 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi 60 centimetra. Punonjësit e pastrimit të rrugëve kanë ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur hapur akset rrugore që e lidhin Tropojën me qendrat e komunave dhe zonat e tjera. Në të gjitha akset rrugore lëvizja e mjeteve është e detyrueshme me zinxhirë për shkak të trashësisë së dëborës e akullit. Përpjekjet janë përqëndruar për mbajtjen hapur të aksit rrugor Qafë Morin - Bajram Curri-Fierzë që lidh Tropojën me Kosovën dhe pjesën tjetër të vendit. Për mbajtjen nën kontroll, krahas borëpastrueseve në akset kryesore rrugore po hidhen pandërprerë sasi të mëdha skorje përzier me kripë për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve. Të kalueshme me zinxhirë janë dhe akset rrugore Kukës - Shishtavec, Kukës - Bushtricë, Krumë - Kukës dhe Krumë-Qafë Prush. Në Dibër janë të bllokuara komunat e Lurës, Kala e Dodës. Në Bulqizë dëbora ka izoluar 4 fshatra si dhe komuna e Ostrenit e Zercan e Selishtë. Në Pukë, në komunat Iballë dhe Fierzë mungon energjia elektrike. (s.g/BalkanWeb)