E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll-shitblerje elsi ne gare per Luka Modric

Luka Modriç nuk është i sigurt se do të kalojë La Manshin për të shkuar në Madrid. Ylli kroat i Totenhamit, synohet edhe nga një tjetër ekip londinez, pikërisht nga Çelsi i trajnerit Roberto Di Mateo. Kampionët e Europës e donin regjisorin edhe verën e kaluar, por nuk arritën të thyenin rezistencën e “gjelave” ndonëse ofruan mbi 40 milionë euro. Murinjo e kërkoi Lukën në “Bernabeu” dhe biznesi mund të përfundonte pozitivisht për 35 milionë euro, veçse rifutja në garë e klubit të Roman Abramoviçit e ndryshon situatën.
Duke mbetur po në Londër, klubi tjetër i futbollit, Arsenali, po mendon yllin malazez Stevan Jovetiç. Futbollisti i Fiorentinës jepej shumë pranë Juventusit, ndërsa kampionët e Italisë po ndjenin vështirësi për të marrë Robin van Persin. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, sipas mediave, është gati të japë 25 milionë stërlina, pra mbi 30 milionë euro për të bërë të vetin kartonin e malazezit të shkëlqyer.
Së fundi, një lajm zyrtar. Seidu Keita dhe Barcelona janë ndarë pas 4 vjet bashkëpunimi. Mesfushori afrikan nga Mali, nuk është më në planet e trajnerit të ri, Tito Vilanova, dhe besohet se do të jetë në Kinë sezonin e ardhshëm. Pasi fitoi 14 trofe me katalanasit, Keitasë i janë ofruar 14 milionë euro për 2 vjet e gjysmë kontratë nga klubi kinez, Dalian Erbin. Milan dhe Napoli e pëlqejnë futbollistin, por do të jetë e vështirë të konkurrojnë me klubin kinez në aspektin financiar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›