E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet flaka Olimpike ne Londer

Flaka olimpike po përshkon Britaninë e Madhe në pritje të nisjes së Lojrave në Londër, por asaj i ndodhi një e papritur e pakëndshme ndërsa po bënte një xhiro me varkë në një nga impiantet ujore të ndërtuara për Olimpiadën verore.
Pishtari olimpik po mbahej nga Zahari Frenklin, ndërsa varka bënte rafting në impiantin që quhet Lugina Li në “Uoltam Kros” në Londër.
Frenklin, një kanoist i skuadrës së të rinjve britanikë e bëri shumë mirë detyrën e tij në kushte jo tërësisht të lehta, por gjendja u vështirësua kur barka prej gome kaloi në pjesë të trazuara të ujrave në këtë impiant olimpik.
Në një moment, flaka u fik për shkak se dallgët hodhën ujë në varkë dhe 20-vjeçari Frenklin u detyrua që të ndalonte, të dilte nga varka për të lejuar punonjësit e sigurisë që të rindiznin pishtarin olimpik.
Flaka olimpike ka 50 ditë që po shëtit nëpër Britani, si pjesë e një turneu 70 ditor deri në fillimin e Lojrave Olimpike më 27 korrik.
Ky simbol olimpik u krijua që në Lojrat e Berlinit më 1936 dhe mbeti si i tillë, ndërsa në ceremoninë e nisjes së Olimpiadës verore flaka do të vendoset në vatrën e stadiumit dhe aty do të mbahet deri në përfundim të lojrave më 12 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›