E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moto GP Dani Pedroza fitoi mimin e Madh te Gjermanise

Është i vogli Dani Pedroza fituesi i Çmimit të Madh të Gjermanisë në MotoGP. Piloti spanjoll përballoi një sfidë të jashtëzakonshme nga kampioni i botës në fuqi, Kejsi Stoner, duke ruajtur nervat e forta dhe duke e dërguar Hondën e tij drejt suksesit.
I dyti doli Horge Lorenco i Jamahës, duke përfituar edhe nga rrëzimi i Stonerit dhe duke kryesuar tani renditjen e kampionatit botëror për vitin 2012. Pedroza e ndjek, ndërsa Stoner ka zbritur i treti.
Australiani u përpoq deri në fund që të parakalonte Pedrozën, duke shfrytëzuar maksimalisht Honda Repsolin, por rrëshqiti dhe motori i tij u dëmtua. Kështu që, në vend që të ishte tani 4 pikë përpara Lorencos, Stoner është i detyruar të rinisë konkurrencën nga 20 pikë prapa.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi në Gjermani për Pedrozën që mund të synojë titullin kampion të botës këtë sezon, ndërsa më parë nuk ia kishte dalë kurrë të mundte Stonerin apo Lorencon. Një figurë jo të keqe bëri 9 herë kampioni i botës, Valentino Rosi i Dukatit që doli i gjashti.
Në renditje, spanjolli Lorenco ka 160 pikë, Pedroza ka 146, ndërsa Stoner është i treti me 140 pikë. Në vend të katërt, por me diferencë më të madhe pikësh, është italiani Andrea Doviciozo, që doli i treti në Gjermani. Doviciozo ka 92 pikë, ndërsa britaniku Kal Kraçlou ka grumbulluar 85.
Në klasin Moto 2, fitues ishte spanjolli Mark Markez duke përforcuar kryesimin e botërorit. Ai la prapa finlandezin, Mika Kalio dhe Aleks De Anxhelis nga San Marino. Markez kryeson renditjen me 152 pikë.
Në klasin Moto 3, në vend të parë doli gjermani me origjinë italiane, Sandro Korteze, që la prapa francezin Masbu, ndërsa i treti doli spanjolli Salom. Në krye të renditjes është pikërisht Korteze me 148 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›