E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll, Ministria kërkon me gjyq kthimin e stemës nga Xhani

TIRANE-Pas një periudhe të gjatë në heshtje, Ministria e Mbrojtjes kërkon nga Albert Xhani që të rikthejë stemën e Partizanit, të marrë 11 vjet më parë. Ajo ka hapur edhe një gjyq për këtë çështje, madje janë zhvilluar edhe seancat e para të tij. Më 12 korrik do të jetë seanca e radhës, e cila pritet të sjellë zhvillime të reja përsa i përket klubit legjendar të Shqipërisë. Ministria kërkon që Xhani të rikthejë stemën, për shkak se e ka lënë klubin në mëshirë të fatit dhe se praktikisht, ai mund të quhet i falimentuar. Seanca e 12 korrikut ka zgjuar edhe shpresat e tifozëve se mund të ketë zhvillime të reja, për të nxjerrë Partizanin nga "bataku" ku është futur në tre vitet e fundit. Në fakt, çdo gjë pritet të shkojë në favor të shtetit, pasi në momentin që Xhani ka marrë stemën, ka qenë një vendim, ku thuhej se ai e kishte atë në përdorim dhe jo në pronësi. Rimarrja e stemës nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes do të thotë që kjo e fundit mund t'ia delegojë presidencën e klubit dikujt tjetri ose ta mbajë edhe vetë, me fondet e saj, siç ndodhte përpara se të bëhej ky "gjysmë-privatizim". Duke parë shtyrjet e herëpashershme, pritet që në seancën e 12 korrikut Gjykata të japë edhe vendimin, gjë që ka shtuar interesin e tifozëve. "Ka një gjyq, por mua më duket si gjyqi i Gërdecit dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë vendim shumë pozitiv", thotë Bejkush Birçe për këtë.
Tifozët
Ndërsa Xhani pritet të përballet në Gjykatë me Ministrinë e Mbrojtjes, tifozët e Partizanit duket se janë rreshtuar në krah të kësaj të fundit. Në një njoftim të bërë në faqen "partizani.net", ata bëjnë thirrje që në 12 korrik të organizohet një tubim kundër presidentit Albert Xhani. "Për ironi, ka mbetur vetëm presidenti Albert Xhani dhe tifozët, që janë në një prolog të përhershëm mes tyre, - thuhet në komunikatën për mediat. - Këta të fundit në ndryshim nga presidenti i tyre, vazhdojnë të shpresojnë se Partizani mund të ringrihet edhe pse tashmë është në Kategorinë e Dytë. Padia e Ministrisë së Mbrojtjes e bërë përpara disa muajsh ka sjellë edhe njëherë shpresën të tifozët e "demave" se diçka mund të ndryshojë. Për këtë arësye, grupimi i tifozëve "Ultras & Guerrils", sëbashku me "Shoqatën e Tifozëve të Partizanit", janë vënë në lëvizje për të organizuar një tubim në mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe njëkohësisht për të kërkuar për të disatën herë largimin e presidentit Xhani nga skuadra", shkruhet më tej në të. Në këtë mënyrë, tifozët e Partizanit kanë nisur organizimin dhe pritet që në datën 12 korrik, në orën 10.00, ata të jenë para dyerve të Gjykatës së Tiranës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›