Alonso mirëpret Hamiltonin

Fernando Alonso ka theksuar se nuk do ta ketë problem të punojë me Lewis Hamiltonin, nëse ngasësi britanik ndonjëherë kalon në Ferrari. Hamilton së fundmi e la të hapur mundësinë e kalimit te skuadra e famshme italiane edhe pse insistoi se tash për tash nuk ndjek një lëvizje të tillë.
Por, meqë Alonso ka kontratë me Ferrarin deri më 2016, nëse ata dikur do të jenë kolegë në një ekip, atëherë Hamilton është ai që duhet ta bëjë lëvizjen. Hamilton dhe Alonso kishin marrëdhënie të tensionuara gjatë kohës kur ishin kolegë në McLaren më 2007 dhe shumëkush ka theksuar se ata kurrë më nuk do të jenë pjesë e një skuadre.
Mirëpo, spanjolli, i cili aktualisht vozit përkrah Felipe Massas në Ferrari, ka thënë se do ta mirëpriste Hamiltonin në ekip dhe beson se beteja mes tyre do të ishte më e drejtë se sa në McLaren.
“Jam shumë i kënaqur me Felipen dhe shpresoj të jem me të edhe për shumë vite”, tha Alonso për të përditshmen sportive spanjolle Marca. “Por, nëse vjen një ngasës tjetër, nuk do të paraqet problem, ne do të punonim në mënyrë të njëjtë për ekipin. Nëse vjen Hamiltoni, do të jetë njësoj. Nëse ne do të ishim kolegë në një ekip tjetër, do të ishte betejë më e pastër dhe e vërtetë”, shtoi ai.
Alonso aktualisht gjendet në pozitën e katërt në renditjen e përgjithshme, por spanjolli insiston se Ferrari nuk është dorëzuar për titull, pavarësisht distancës prej 89 pikësh nga lideri, Sebastian Vettel.
“Ne duhet të mundohemi të fitojmë sa më shumë gara që është e mundur. Jemi realistë dhe situata e kampionatit është ajo që është, por shumë herë kemi parë ndryshime të papritura. Dhe, mbi të gjitha ne jemi Ferrari dhe kemi obligim moral, sidomos për miliona tifozë në mbarë botën që gjithmonë mendojnë për objektiva maksimale”, theksoi Alonso.
Dy herë kampioni i botës në Formula 1 insistoi se titulli i kampionit është gjithmonë objektiv i Ferrarit.
“Ne kurrë nuk mund të themi se do të hyjmë në tetë garat e fundit pa menduar për titull. Ne gjithmonë i hedhim sytë kah titulli, së paku derisa është ende i arritshëm. Sigurisht se duhet të fillojmë të fitojmë dhe të shpresojmë që Vettel t’i bëjë disa gabime ose të ketë disa probleme”, përfundoi ai.