E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetemaj mbron Albinoleffen

Mehmet Hetemaj i ka dalë në mbrojtje ekipit të Albinoleffes, e cila po dyshohet se është e përfshirë në skandalin e kurdisjeve të ndeshjeve. Mesfushori kosovar thotë se kjo nuk është aspak e vërtetë, të paktën prej kur ai është pjesë e ekipit nga Bergamo.

Në Itali ende po vazhdojnë hetimet rreth kurdisjeve të ndeshjeve në këtë vend. 17 persona janë arrestuar deri më tani derisa shumë klube po hetohen për përfshirje në skandalin e basteve.

Në mesin e këtyre ekipeve është edhe Albinoleffe, ku aktivizohet mesfushori kosovar, Mehmet Hetemaj. Ky i fundit e ka mbrojtur klubin e tij, pesë e së cilit është nga viti 2009.

“Prej se jam pjesë e këtij klubi këto nuk janë të vërteta. Nuk e di se çfarë ka ndodhur para se të vij unë. Te shohim se çfarë mund të ndodhë, është thënë që mund të dënohemi me heqjen e pikëve. Është thënë se disa futbollistë tanë kanë shitur ndeshje, por kjo nuk është aspak e vërtetë”, ka thënë 24-vjeçari në një intervistë për të përditshmen finlandeze, Ilta Sanomat.

Në skandalin e fundit në Itali thuhet se i përfshirë është edhe mesfushori kosovar, Rijat Shala. Ky i fundit akuzohet se ka qenë i përfshirë në kurdisjen e ndeshjes së kupës së Italisë në vitin 2010, ndërmjet Chievos dhe ish-skuadrës së tij Novara.

Por prizrenasi ka mohuar akuzat derisa pritet të rrëfejë para prokurorisë italiane rreth skandalit që shpërtheu në fund të vitit 2011.

Në anën tjetër, mesfushori kosovar me pasaportë finlandeze ka folur edhe për rrjedhën e kampionatit në Serie B. Albinoleffe mori një pikë të madhe në udhëtim te lideri i Serie B, Torino.

“Kjo ishte një pikë e mirë. Në këtë situatë, të gjitha pikët janë me të vërtetë të rëndësishme”, ka deklaruar ish-futbollisti i klubit grek, Panionios.

Pas 21 xhirove të zhvilluara në Serie B, skuadra e Albinoleffes gjendet në një pozitë mjaft të vështirë pasi renditet në vendin e 17-të me vetëm 22 pikë të tubuara.

Pret ftesë nga Finlanda

Edhe pse po jep një kontribut të madh për skuadrën e Albinoleffes, Mehmet Hetemaj vazhdon të mbetet jashtë përfaqësueses së Finlandës, me të cilën ka debutuar në vitin 2009 dhe ka zhvilluar vetëm dy ndeshje.

“Nuk kam folur që nga pranvera me selektorin Mixun Paatelainen. Atij i ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur arsye ta ndërrojë ekipin. Megjithëkëtë, unë pres që të ftohem”, ka deklaruar ish-mesfushori i Helsinkit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›