E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi i premton besnikeri Barcelones

Lionel Mesi i ka premtuar besnikëri të përjetshme Barcelonës. Ylli argjentinas, i cili është kandidati kryesor për të fituar “Topin e Artë”, ka folur për të tashmen dhe të ardhmen, duke u shprehur krenar që është rritur në Akademinë e klubit katalan. Ai nënvijëzon se aty është formuar si lojtar, por mbi të gjitha si njeri.

“Ndodhem në klubin më të mirë në botë, asnjë skuadër tjetër nuk më plotëson ashtu si bën Barcelona. Shpresoj të qëndroj këtu deri sa të lodhen nga unë, edhe pse shpresoj që kjo e fundit të mos ndodhë asnjëherë. Nuk e mendoj dot veten me fanellën e Realit të Madridit, apo ndonjë ekipi tjetër”.

Mesi ka folur edhe për trajnerin Pep Guardiola, për të cilin theksoi se e njeh skuadrën si askush tjetër, por edhe për marrëdhëniet me disa prej yjeve të larguar nga “blaugranat”, si Eto’o, Ibrahimoviç e Bojan Krkiç, duke i cilësuar “qesharake” zërat se ka pasur probleme me ata.

Edhe pse është ende i vogël, sulmuesi vazhdon të etiketohet si lojtari më i mirë i kësaj epoke, por ka edhe nga ata që e shohin si më të mirin në historinë e futbollit. Për këtë diskutim, Mesi u shfaq mjaft modest.

“Jam vetëm 24 vjeç dhe sapo kam nisur. Kam respekt për lojtarët që kanë qenë të mëdhenj si Di Stefano, Pele apo Maradona. Nëse jam më i miri, këtë duhet ta thonë të tjerët, në momentin kur ta kam mbyllur karrierën, sepse nuk më pëlqen të flas për veten dhe nuk kam objektiva të tilla”.

Në fund, ylli i Barçës theksoi edhe një herë se do të bëjë çdo gjë për të fituar Kupën e Botës me Argjentinën, duke besuar te potenciali dhe kualiteti i përfaqësueses “albiçeleste”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›