Kuvendi: Biberaj u hoq për shkelje financiare
ADI SHKEMBI
“Deputeti Biberaj ka abuzuar financiarisht me udhëtimet në emër të Kuvendit drejt Këshillit të Evropës”. Kuvendi reagon zyrtarisht, duke sqaruar kërkesën që i ka bërë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt si kryetar i delegacionit shqiptar në asamblenë e KE-së. Nëpërmjet një njoftimi, zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, sqaron se “Kryetarja e Kuvendit, pasi është konsultuar me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, siç e parashikon edhe neni 7, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me një deputet tjetër”. Më tej sipas Kuvendit “arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit dhe që nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e rregullt të delegacionit në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Këto të fundit janë miratuar gjithmonë nga Kuvendi. Rasti i sjelljes së Biberajt është rast unik”. Gjithashtu, sipas njoftimit për shtyp, sqarohet se kryeparlamentarja Topalli ka mbështetur pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar dhe kreun e këtij delegacioni, Aleksandër Biberaj në përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. “Kryetarja e Kuvendit ka mbështetur vazhdimisht dhe ka miratuar pjesëmarrjen e delegacionit, përfshi këtu edhe zotin Biberaj, në çdo sesion parlamentar të Këshillit të Evropës, në respekt të këtij institucioni. Madje në disa raste ka miratuar edhe udhëtime jashtë sesionit parlamentar të anëtarëve të delegacionit edhe në aktivitete të tjera të KE-së”.
Korrespondenca
Kuvendi zbardhi dje edhe korrenspondencën që ka pasur me agjencinë turistike “Arjon Travel&Tours” lidhur me disa udhëtime të deputetit Biberaj. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, janë 5 udhëtime që nga dhjetori 2007 deri në maj 2008, të cilat Biberaj i ka bërë pa dijeninë e Kuvendit dhe shuma prej 2887 euro nuk është likuiduar ende. “Nga auditivi financiar i kompanisë sonë, rezultojnë pagesa të pa kryera nga ana juaj, për vitin 2007 dhe 2008 për Deputetin Aleksandër Biberaj si më poshtë: dhjetor 03, 2007 biletë avioni Tiranë- Vienë- Bruksel e kthim në vlerë 710- euro; dhjetor 10, 2007 biletë avioni Tiranë- Vienë- Paris e kthim në vlerë 706 euro; mars 11, 2008 biletë avioni Tiranë- Vienë Paris e kthim në vlerë 440 euro; mars 13, 2008 penallti për ndryshimin e datës së udhëtimit në vlerë 144 euro; maj 26, 2008 biletë avioni Tiranë- Vienë- Kiev/ Stokholm e kthim në vlerë 2887 euro. Ju lutem në mundësoni këto pagesa sa më shpejtë. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, ngelemi në dispozicionin tuaj për çdo shërbim nga ana jonë”, thuhet në letrën që agjencia turistike i ka dërguar Shërbimit të marrëdhënieve me Jashtë në Kuvend më 22 shtator 2008. Një ditë më vonë, Shërbimi i marrëdhënieve me jashtë ka vënë në dijeni Kryetaren e Kuvendit, përmes një letre në të cilën bën të ditur se “Nga agjencia “Arjon Travel” kërkohet me shkresë, që Kuvendi të paguajë shumën prej 2887 euro, për një numër udhëtimesh të deputetit Aleksandër Biberaj, në Këshillin e Evropës. Për asnjë arsye nga këto udhëtime, ne nuk kemi as miratimin në parim nga ju, as vendim. Në këto kushte ne nuk mund të kryejmë pagesa. Për sa më sipër kam vënë në dijeni edhe deputetin Aleksandër Biberaj për detyrimin, që ai ka ndaj agjencisë”, thuhet në letrën e drejtorit të marrëdhënieve me jashtë. Po në të njëjtën ditë shërbimi i marrëdhënieve me jashtë i ka dërguar një letër agjencisë turistike, në të cilën thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka porositur te ju asnjë nga udhëtimet e deputetit Aleksandër Biberaj, që përmenden në shkresë. Në këto kushte ne nuk kemi detyrime pagese në agjencinë tuaj, prandaj ju mund t’i drejtoheni direkt zotit Biberaj”.
Biberaj: Shkarkimi, precedent i rrezikshëm
“Kërkesa e kryeparlamentares Topalli për zëvendësimin tim është bërë pa dijeninë e grupit parlamentar të PD-së dhe duke shkelur rregulloren e Kuvendit”. Deputeti Biberaj ka reaguar dje publikisht, pas letrës së dërguar nga ana e Kryetares së Kuvendit në sekretariatin e Këshillit të Evropës, lidhur me zëvendësimin e tij në postin e kryetarit të delegacionit shqiptar në asamblenë e KE-së. Në një njoftim për shtyp, deputeti i PD-së bëri të ditur se “gjykoj se veprimi i znj. Topalli shkel rëndë etikën parlamentare, pasi është kryer në konspiracion të plotë dhe pa asnjë lloj transparence, pa më njoftuar, si dhe pa dijeninë e Grupit Parlamentar të PD-së”. Biberaj bën të ditur gjithashtu se pasi është njohur nga mediat për kërkesën e kryeparlamentares Topalli, lidhur me zëvendësimin e tij, ka kontaktuar zyrtarisht me Këshillin e Evropës në Strasburg, ku i është konfirmuar zëvendësimi me një deputet tjetër me argumentin se ai do të ndarkohet me një tjetër detyrë. Duke iu referuar rregullores së kuvendit, pikërisht nenit 7, pika 3, deputeti Biberaj thekson se “duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, rezulton se znj. Topalli e ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloren e Kuvendit, ka anashkaluar Kuvendin, si dhe ka marrë kompetencat e Kuvendit, gjë që përbën një precedent tepër të rrezikshëm për një vend demokratik”. Në nenin 7 pika 3 thuhet shprehimisht se “Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur”. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, procedura e parashikuar në rregulloren e Kuvendit nuk është zbatuar nga kryetarja Topalli, e cila duhet të njoftonte Kuvendin më 19 janar, pasi në të njëjtën ditë është njoftuar edhe Këshilli i Evropës për zëvendësimin e Biberajt. “Në vitin 2005, unë jam votuar nga Kuvendi si kryetar dhe anëtar delegacioni dhe është vetëm Kuvendi ai që mund të vendosë ndryshe. Lidhur me shkeljen e rregullores, anashkalimin e Kuvendit dhe marrjen e kompetencave të Kuvendit nga znj. Topalli, ka njoftuar zyrtarisht drejtuesit më të lartë të Asamblesë Parlamentare të KE-së”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të deputetit demokrat. Në të njëjtën kohë sipas tij “Ky veprim tepër brutal synon të ndërpresë mandatet e z. Biberaj si zv. President i Asamblesë Parlamentare të KE-së, zv. President i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, zv. President i Komisionit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale të KE-së, Anëtarit të Komitetit Politik, Anëtarit të Komitetit të Monitorimit, si dhe Raporterit të KE-së për “Hetimin e krimeve të regjimit Stalinist në Ish-Bashkimin Sovjetik”, mandate këto të votuara unanimisht nga Asambleja e KE-së dhe të fituara me punë dhe përkushtim 3-vjeçar në KE”. Biberaj theksoi në fund se ky veprim dëmton aktivitetin dhe imazhin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
PDK: Biberaj u shkarkua si Zhukovi
Partia Demokristiane reagoi dje në mbrojtje të deputetit të PD-së, Aleksandër Biberaj, lidhur me shkarkimin nga posti i kreut të delegacionit shqiptar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. Përmes një njoftimi për shtyp PDK-ja shprehet se “xhelozia politike ndaj karrierës evropiane në rritje të zotit Biberaj detyroi Topallin e Berishën të veprojnë si Stalini me Zhukovin, duke e shkarkuar në ajër, pasi zoti Biberaj sot ndodhet në udhëtim e kthimit nga pjesëmarrja e tij në ceremoninë e betimit, të Presidentit Obama”, thuhet në njoftimin për shtyp. PDK-ja vlerësoi figurën e Biberajt në postet që ka mbajtur deri tani, duke përfaqësuar Shqipërinë në strukturat më të larta të Këshillit të Evropës. “Duke vlerësuar kontributin e tij në këto institucione, Komiteti politik i KE-së miratoi propozimin e Grupit Parlamentar të PPE-së që zoti Aleksandër Biberaj, deputet i maxhorancës së djathtë dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së të jetë kryetar i Komisionit të Parlamentare Evropiane, të zgjedhur nga KE për të zbardhur krimet e Stalinit në Ukrainë dhe republikat e tjera ish-sovjetike”, thekson më tej PDK-ja.
Islami mbron deputetin e PD: Topalli dëmton imazhin e vendit në KE
Anëtari i delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kastriot Islami, i kërkoi dje Kryetares së Kuvendit, Topalli, të mos prishë imazhin e vendit në KE, në vijimësi të proceseve integruese të vendit. Kryetarja e Kuvendit dhe maxhoranca të rishohë kërkesën në favor të proceseve integruese të vendit. “Nuk jam këtu për të mbrojtur kryetarin e delegacionit parlamentar, zotin Biberaj, sepse kjo është një çështje e brendshme e Partisë Demokratike”, tha Islami. Duke analizuar kërkesën e kryetares Topalli drejtuar Këshillit të Evropës për zëvendësimin e deputetit demokrat Aleksandër Biberaj, Islami tha se “ky veprim vjen si rezultat i kritikave që qeveria shqiptare ka marrë nga Këshilli i Evropës për ligjin e lustracionit”. Kjo, sipas tij, do të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës gjatë përfaqësimit të Shqipërisë ditën e hënë. “Mesa duket lufta e klasave ka vazhduar brenda gjirit të partisë, sepse zoti Biberaj nuk ka qenë i zoti të mbrojë përballë institucionit të rëndësishëm, siç është sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, i cili ka bërë një deklaratë lidhur me ligjin e pastrimit të figurave të miratuar nga maxhoranca aktuale parlamentare”, tha Islami. Duke komentuar opinionet Islami tha se, “mund të dëgjoni edhe një arsye tjetër brenda radhëve të PD-së që zoti Biberaj ka shpenzuar paratë e Kuvendit të Shqipërisë për të vajtur në mbledhjet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më shumë se ç’duhet, por kjo nuk krijon imazh të mirë për Parlamentin shqiptar”.