Futbolli mban frymën, zgjidhen drejtuesit
Futbolli shqiptar mban frymën. Për një ditë, sporti më popullor në vend nuk do të ketë rivalitet në fushat e gjelbra, por në kutitë e votimit. Sot në hotel “Adriatik” në Durrës zhvillohen punimet e Asamblesë Zgjedhore në FSHF. Ky është sprinti final i tri kandidatëve për postin e presidentit. Pas tetë vitesh punë në krye të federatës, kreu aktual Armand Duka, kërkon të rikonfirmohet. Biznesmeni 47-vjeçar kërkon mandatin e tretë, që prej emërimit në vitin 2002. Në Asamblenë e fundit ai fitoi përballë rivalëve Edmond Haxhia dhe Salvador Kaçaj, ndërsa për të bindur familjen e futbollit që ta votojë sërish, nuk ka paraqitur platformë, por ka premtuar vazhdimin e punës së bërë deri më tani. Objektivi mbetet përmirësimi i infrastrukturës së stadiumeve, por edhe i komplekseve stërvitore të ekipeve shqiptare. Ndërsa ëndrra e madhe mbetet ndërtimi i një impianti modern, në të cilin Kombëtarja kuqezi do të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare.
Rivalët e Dukës janë Rudi Vata dhe Refik Halili. I pari nuk ka nevojë për prezantim. Kontributi i dhënë me përfaqësuesen shqiptare, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit është kartëvizita e shkodranit. I lidhur përjetësisht me futbollin (ku aktualisht punon si menaxher i FIFA-s), në moshën 41-vjeçare ai synon të marrë drejtimin e FSHF-së. Vata kërkon të vendosë në shërbim të top-këmbës shqiptare eksperiencën e jashtëzakonshme që ka fituar gjatë karrierës si lojtar profesionist, ndërsa kërkon që “ky sport t’u kthehet njerëzve të futbollit”. Kandidati tjetër është Refik Halili. Një biznesmen, i pozicionuar prej kohësh kundër kreut aktual të federatës. Prej vitit 2004 ai është donator i Tiranës, klubit që ka fituar më shumë tituj kampionë në vend, ndërsa më 2009-n, 49-vjeçari u emërua president i bardhebluve. Vata dhe Halili kanë konfirmuar se do të bashkëpunojnë për të larguar presidentin aktual, ndërsa janë pozicionuar kundër mënyrës së votimit, mbi të gjitha për 8 votat e futbollit amator dhe për votën e mjekëve sportivë, dy shoqata me të drejtë vote. Ata kanë shprehur edhe pakënaqësi të theksuara për zhvillimin e Asamblesë së sotme larg kryeqytetit, ndërsa kanë kërkuar edhe vëzhgues të secilit kandidat, të cilët do të jenë të pranishëm edhe në numërimin e votave, me të drejtë firme në fletat e votimit. Sipas Vatës dhe Halilit, vetëm në këtë mënyrë do të garantohej barazia në garë. Në Durrës do të zgjidhen edhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, organit më të lartë vendimmarrës në FSHF: 25 kandidatë do të kërkojnë votat e 65 anëtarëve, ndërsa bie në sy rikandidimi i 9 anëtarëve të katër viteve të fundit. Fakti interesant është se për një post në KE, garojnë edhe dy deputetët, Kreshnik çipi e Fatos Hoxha, si edhe kryebashkiakët e Elbasanit dhe Gjirokastrës, Qazim Sejdini dhe Flamur Bime.
Në punimet e Asamblesë do të bëhet edhe pasqyra financiare e 6-mujorit të dytë të vitit 2008 dhe pasqyra financiare e vitit 2009, propozimi për shoqërinë audituese për vitin financiar 2010, si edhe aprovimi i buxhetit për këtë vit.
#