Fshatrat mes Lushnjës dhe Beratit kërkojnë rrugë
Prej vitesh, aksi kombëtar Lushnjë-Berat ka mbetur në mëshirë të fatit. Në këtë segment rrugor kanë munguar investimet dhe banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë kësaj rruge shprehen se, nëse vazhdohet kështu, zona do të izolohet. “Gropat nga viti në vit thellohen, ndërsa asnjë nga drejtuesit e shtetit nuk do t’ia dijë për ta rregulluar. Jemi në prag të izolimit total”, thotë Valmir Senka, një banor i zonës. Në afro 20 kilometra gjatësi të rrugës nacionale Lushnjë-Berat janë me dhjetëra segmente ku infrastruktura është plotësisht e shkatërruar. Madje, drejtuesit e mjeteve që duhet të udhëtojnë në këtë segment, në shumicën e rasteve i shmangen, duke i rënë një rruge më të gjatë nga Fieri. “Por edhe me drejtim nga Fieri rruga është e keqe. Në krahasim me rrugën Lushnjë-Berat ajo Berat-Fier paraqitet disi më mirë, por sërish është problematike. Po izolojnë Beratin, asgjë më shumë”, shprehet një drejtues mjeti që transportonte pasagjerë nga Berati për në Tiranë. Frika e banorëve të zonës ekziston në faktin se projekti për ndërtimin e autostradës Lushnjë-Berat dhe më tej në Jug duket se do ta shmangë këtë segment rrugor. Banorët thonë se gjurma e projektuar për këtë autostradë është shumë larg zonave të banuara dhe do t’ua vështirësojë më shumë jetën atyre. “Nëse realizohet autostrada, atëherë ne mbetëm përjetë pa rrugë dhe të izoluar. Duhet të ndërhyjnë autoritetet lokale dhe ato qendrore”, thonë banorët. Rruga Lushnjë-Berat është në inventarin e Drejtorisë Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Fier. Burime zyrtare të kësaj drejtorie sqarojnë se prej vitesh nuk kanë pasur projekt për ndërhyrje në infrastrukturën e saj, por janë duke përdorur një fond të vogël për mirëmbajtjen. “Prej pak ditësh dy punonjës të drejtorisë janë duke u përpjekur të mbushin gropat, por kushtet atmosferike dhe mungesa e bazës materiale ua bënë të vështirë punën”, tha një nëpunës i Drejtorisë Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve.
#