E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj, tradhtari i atdheut, akuza pas refuzimit të ftesës

Kombëtare Revista e njohur gjermane “Revier Sport” i kushton vëmendje çështjes “Mavraj”

Javët e fundit nuk kanë qenë nga më të mirat për Mërgim Mavrajn. Prej më shumë se 10 ditësh, qendërmbrojtësi, i cili momentalisht ka shtetësi shqiptare dhe gjermane, në Shqipëri shihet si “tradhtar i atdheut”. Revista gjermane “Revier Sport” i kushton vëmendje kësaj çështjeje. Menjëherë pasi mediat shqiptare njoftuan se Mavraj refuzoi të luajë për Kombëtaren shqiptare, ai u vu në qendër të kritikave. Mavraj: "Kjo është krejt e pakuptimtë! Kam marrë një telefonatë nga trajneri i ri i Shqipërisë dhe i shpjegova atij se më nevojitet ende kohë për të vendosur”. Për këtë arsye dhe pas mirëkuptimit të plotë me trajnerin kuqezi, Mavraj mori para 14 ditësh një ftesë për t’u grumbulluar me Kombëtaren në Tiranë për miqësoren ndaj Irlandës së Veriut, të cilin ai e refuzoi. “Trajneri ishte në dijeni të plotë për këtë, pasi ne e kishim shtyrë përgjigjen deri pas Botërorit 2010”, justifikohet Mavraj. Megjithatë, shtypi shqiptar e vuri atë në qendër të kritikave dhe papritmas Mavraj u bë tema numër një. Rezultati: Në komunitetin e internetit, “Facebook”, u regjistruan më shumë se 150 persona. Papritmas Mavraj ishte “tradhtari i atdheut”, i cili e braktisi vendin e tij, Shqipërinë. Mavraj e quan këtë “një absurditet!”. Zënka filloi në verën e 2006-s. Hans-Peter Briegel, si trajneri i Shqipërisë, e dëshironte lojtarin që nga koha kur luante në Regionalliga me Darmstadt, pasi e kishte parë në një ndeshje ndaj Hofenhajm. Mavraj shton: “Unë doja të bëhesha shtetas shqiptar. Pikërisht këtë gjë bëra”. Pak më vonë ishte trajneri i U-21 i Gjermanisë, Dieter Eils, ai që e pyeti nëse kishte shtetësi gjermane. “Dhe kështu kam luajtur ndeshjen time të parë miqësore me U-21 të Gjermanisë kundër Italisë”, shton Mavraj. Pas një dëmtimi në aduktorë dhe pas transferimit te Bokumi, karriera e tij ndërkombëtare u ndërpre përkohësisht. Dhe kur pritej që të rikthehej tek U-21 gjerman, pësoi një dëmtim në gju dhe hoqi dorë nga titulli Kampion i Europës 2009. Semafori u hap sërish pas fitores ndaj Hanoverit në dhjetor 2009. Trajneri Kuzhe, i impresionuar nga paraqitja e Mavrajt, i bëri një tjetër ftesë nga atdheu. Mavraj sqaron sërish: “Një televizion ka intervistuar dajën tim, Qerimin, dhe e ka pyetur pse nipi i tij nuk do të luajë për Shqipërinë. Daja im nuk ka kuptuar asgjë dhe unë papritmas u bëra ‘tradhtar i atdheut’. çfarë më mbetet mua të bëj tani”. Mavraj dëshiron që për këtë temë të vendosë më vonë, ndoshta në vjeshtë. Atëherë ai do të zgjedhë nëse do të luajë për Shqipërinë apo për Gjermaninë. Megjithatë, pas zhvillimeve të fundit, duket se dera e Kombëtares kuqezi është mbyllur njëherë e përgjithmonë për të.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›