E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli që nuk ekziston

Nga Dritan Ikonomi
"Ende jo", "ende nuk", "ende pa" janë togfjalëshat më të përdorur javët e fundit në median sportive shqiptare. Nuk janë gabime gjuhësore apo kopjime të gazetave e mjeteve elektronike, nuk është as mungesë fantazie apo informacioni nga ana e gazetarëve. Përkundrazi, janë ndoshta fjalët më të mira e më të përshtatshme për të përshkruar me realizëm gjendjen e përgjithshme të një pjese të futbollit në Shqipëri. Cdo ditë që shkon sjell më tepër errësirë, e cila shton më tepër pasigurinë për të ardhmen në një shumicë të frikshme të klubeve. Skuadrat "ende nuk" kanë trajner, "ende nuk" kanë lojtarë, disa janë "ende pa" presidentë apo sponsorë. Si kurrë më parë, shumë skuadra pothuajse janë tharë nga zhegu i verës, janë katandisur në një nocion abstrakt, duke u mbetur vetëm emri. Është e mjerueshme e të kap trishtimi kur sheh se bëhet fjalë edhe për emra që aq shumë e kanë pasuruar historinë e futbollit shqiptar. Skënderbeu, Flamurtari, Besëlidhja, Apolonia, Kastrioti, Luftëtari, Tomori e të tjerë janë skuadrat që, kush më shumë e kush më pak, jetojnë në terr për të ardhmen, deri në kufijtë e inekzistencës, larg "luksit" të Tiranës, Vllaznisë, Teutës, Dinamos apo Partizanit, që kanë një trajner, kanë lojtarë, madje organizojnë edhe prezantime "a la Perëndim", sic do të jetë rasti i të kuqve, sot në mbrëmje. Në fund, ndoshta do të mbijetojnë, ashtu si shumë herë të tjera. Do të mbijetojnë me zvarritje, pa program, pa stërvitje, pa strategji, pa burime, për t'u tharë edhe një herë, kur të vijë qershori tjetër. Botohet me pelqimin e "Panorama Sport"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›