Futbolli shqiptar: Grushtet mësohen që të vegjël

Kur lexon vendimin e Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, kupton një gjë shumë të thjeshtë. Grushtet përdoren qysh në moshë të re, atje ku futbolli është tërësisht amator. Lista e "boksierëve" është e gjatë: Lame i Këlcyrës goditi me grusht kundërshtarin (pezullohet 8 ndeshje), Abazi i Plugut goditi me kokë arbitrin (gjobitet me 200 mijë lekë), Xhafa i Tërbunit ofendoi kundërshtarin (pezullohet 2 ndeshje dhe merr një gjobë prej 30 mijë lekësh), Papa i Butrintit ofendoi arbitrin dhe përvec pezullimit (2 ndeshje) duhet të derdhë në arkën e FSHF-së edhe 30 mijë lekë. Këtyre ndëshkimeve të lojtarëve i shtohet edhe ai i trajnerit të Egnatias, Agron Aliu, i cili për ofendim dhe gjeste provokuese ndaj arbitrit gjobit 30 mijë lekë. "Skaneri" i ndëshkimeve zbret edhe në kategoritë e moshave. Nasufi i Gramshit U-19 për goditje me grusht të kundërshtarit pezullohet tetë ndeshje, ndërsa Zogu (Grashi U-19), Celo (Laci U-19) dhe Grabova (Luftëtari U-19) për ofendim të arbitrave të ndeshjeve të tre pezullohen me dy ndeshje dhe me nga një gjobë prej 30 mijë lekësh secili.