E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kicker: “Vata përjeton pranverën e dytë”

"Vata erlebt zweiten Frühling" (Vata përjeton pranverën e dytë). Ky është titulli i shkrimit kushtuar sulmuesit shqiptar Fatmir Vata në sitin më prestigjioz gjerman "Kicker". Askush nuk mund ta imagjinonte se shqiptari 36-vjecar do të përjetonte një shpërthim të dytë te Tus Koblenc, skuadra e Bundesligës së dytë gjermane, ku dhe Vata ka zgjedhur të përfundojë karrierën e tij të gjatë futbollistike. Fatmiri, me paraqitjet e tij në fushë, ka mundur të gjithë skeptikët që dyshonin te ai dhe te drejtuesit e klubit që kishin investuar për shqiptarin. Vata, me 1 gol kundër Freuther Gruth dhe 5 asistë, është një nga sulmuesit më karizmatikë të Bundesligës 2 dhe i aftë të luajë në cdo pozicion në vijën e parë. "Unë e dija se cfarë mënyre loje më priste", - thotë Vata për "Kicker". "Unë jam përgatitur shumë seriozisht", - shton mesfushori i avancuar. Vata ka luajtur në tetë nga dhjetë ndeshjet e këtij sezoni dhe ka qenë ndër më të mirët e ekipit, duke u vlerësuar me notën mesatare 3.00, një notë e mirë në kampionatin gjerman. Edhe pse është 36-vjecar, Fatmiri ka një vlerë të kënaqshme në treg: 650.000 euro vlerësohet kartoni i tij nga siti i njohur transfermarkt.de. Kontrata e Vatës me Tus Koblenc përfundon më 30 qershor 2009, atëherë kur besohet se dhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare do të varë "këpucët në gozhdë". Tus Koblenc në dhjetë javët e para ka mundur të mbledhë vetëm 12 pikë. Qëllimi kryesor i ekipit është të grumbullojë të paktën 20 pikë deri në përfundimin e fazës së parë. Ndeshja e radhës është ajo kundër Osnabruk dhe Vata do të luajë në majë të sulmit nga minuta e parë, i mbështetur edhe nga shqiptaro-malazezi Gjokaj. "Ekipi duhet të vazhdojë paraqitjet e mira", - thotë trajneri i Tus-it, Uve Rapolder, njeriu që u bë dhe shkaku kryesor i rekrutimit të Vatës te klubi aktual.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›