E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 çuditë e Superligës shqiptare

Kur janë zhvilluar shtatë nga 33 javët e këtij sezoni, është ravijëzuar edhe tabloja e parë me pretendentët e mëdhenj, Partizani, Besa e Dinamo; zhgënjimi i madh i kampionëve në fuqi, Tiranës; fitorja e Besëlidhjes me 23-herë kampionët, shkarkimet e trajnerëve dhe deri te rikthimi i Mirel Josës në punë pas protestës së tifozëve.
1. Dopingu i kosovarit Dragusha
Mbrojtësi i Besës, kosovari Alban Dragusha, pasi u vërtetua si përdorues dopingu nga UEFA dhe u pezullua për dy vjet aktivizim përfshirë edhe ndeshjet ndërkombëtare, luajti me Besën në pesë javët e para, përpara se të merrej vendimi nga FSHF-ja për përjashtimin e tij nga kampionati shqiptar. Një rast unikal në botën e futbollit, por Besa nuk humbet asnjë ndeshje në tavolinë.
2. Ngjela i pari, Skënderbeu i fundit
Sulmuesi korcar Marius Ngjela është golashënuesi më i mirë aktual i kampionatit me 5 gola (nga 8 që ka shënuar ekipi), por nga ana tjetër Skënderbeu i tij ndodhet në vendin e fundit (4 pikë), por dhe njëherësh edhe skuadra që ka pësuar më shumë gola, 18.
3. Tirana, "kriza" nga të ardhurit
Tirana, kampionia në fuqi, është në krizë totale gjatë këtij sezoni, por më tragjike e bën fakti se është mundur nga dy skuadrat e ardhura nga Kategoria e Parë: nga Skënderbeu në Korcë (4-2) dhe Besëlidhja në Tiranë (0-1). Humbja me lezhjanët përbën edhe cudinë më të madhe të sezonit.
4. Zhgënjimi i milionerëve bardheblu
Tirana, ekipi më i financuar në Shqipëri (rreth 1 milion dollarë derdhin katër donatorët), përbën edhe zhgënjimin më të madh: nga 21 pikët e mundshme, bardheblutë kanë marrë vetëm 5 pikë, pra 16 pikë më pak. Në shtatë javë, 23-herë kampionët kanë pësuar katër humbje.
5. Java e zjarrit për të pathyeshmit
Partizani (19 pikë) dhe Besa (17), dy kryesueset e deritanishme në kampionat, janë dhe te vetmet që nuk kanë pësuar humbje në shtatë javët e para. Java e 8-të (31 tetor) vë përballë në Kavajë pikërisht këto dy ekipe. Të dy ekipet i kanë fituar ndeshjet e zhvilluara në shtëpitë e tyre. Kuriozitet përbën fakti se cili do të jetë rezultati i sfidës direkt.
6. "Play-out" i kampiones
Tirana dhe Teuta (të dyja me nga 5 pikë) janë kampione dhe nënkampione të sezonit të kaluar, por nëse kampionati do të mbyllej tani, dy skuadrat do ta luanin ndeshjen play-out me ekipe të Kategorisë së Parë për të siguruar qëndrimin e tyre në Kategorinë Superiore. Teuta, pas fitores së bujshme me Skënderbeun në Korcë në javën e parë (1-3), nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje tjetër. Durrsakët së bashku edhe me Besëlidhjen janë ekipet e vetme që nuk kanë fituar në shtëpi.
7. 100 përqindëshi i "jashtëm"
Dinamo është i vetmi ekip që ka marrë 100 përqindëshin e pikëve jashtë: 3 ndeshje, 3 fitore. Skënderbeu dhe Kastrioti nuk kanë mundur të marrin asnjë pikë duke i humbur të gjitha ndeshjet jashtë: 3 korcarët dhe 4 krutanët. Kastrioti është i vetmi ekip që nuk njeh barazimin: 2 fitore dhe 5 humbje.
8. "Valsi austriak" i bankinave
Valsi i bankinave edhe këtë sezon ka një ritëm të bukur austriak. Pesë bankina nga 12 skuadra që ka Kategoria Superiore kanë ndryshuar drejtues. Tirana drejtohet aktualisht nga trajneri i tretë pas shkarkimit të Starovës dhe drejtimit të përkohshëm nga Ardian Mema. Te Kastrioti është ulur trajneri i dytë, Vasil Bici, pas dorëheqjes së Ramazan Ndreut pas javës së gjashtë. Besëlidhja drejtohet nga Ridvan Kulli pas largimit të Stavri Nicës, Skënderbeu nga Faruk Sejdini pas drejtimit të komanduar të skuadrës nga Renato Rapo dhe Teuta nga Gentian Begeja pas dorëheqjes së Hysen Dedjes.
9.Tifozët kthejnë Josën
Rasti "Josa" përbën edhe ngjarjen më të bujshme në lidhje me fatin e trajnerëve në Shqipëri. Pas shkarkimit nga presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, bosi i kuqebluve u detyrua ta rikthente trajnerin tiranas Mirel Josa në detyrë pas protestës së tifozëve shkodranë. Pas rikthimit në punë, rezultatet e Josës janë më të mira: 1 barazim me Tiranën (0-0) dhe një fitore me Kastriotin (3-1).
10. Djemtë plangprishës
Shtatë javët e para kanë parë edhe disa goleadorë "vrasës" të qyteteve të tyre të lindjes. Fjodor Xhafa, i cili aktivizohet me Elbasanin, shënoi golin e vetëm në Vlorë kundër ish-ekipit të tij të origjinës, Flamurtari. Elbasanasi Klodian Duro shmangu humbjen e Tiranës duke shënuar golin e barazimit kundër Elbasanit. Nga 95 golat e shënuar deri tani, 9 prej tyre janë shënuar me penallti, ndërsa janë shënuar edhe tre autogola: Stojku (Shkumbini), Ndoni (Shkumbini) dhe Alcani (Besëlidhja).
11. Golashënuesit e huaj
Kroati i Dinamos Pero Pejic dhe meksikani me pasaportë franceze, Endene Elokan, me katër golat e tyre janë dhe shënuesit më të mirë nga lojtarët e huaj. Kroati Vincetic (Dinamo), senegalezi Diop (Dinamo), braziliani Flavio Junior (Flamurtari), kosovari Dragusha (Teuta), kamerunasi Bikola Nana (Besa), zimbabviani Ziambo (Kastrioti), maqedonasi Petrovski (Besëlidhja) kanë shënuar të gjithë nga një gol për skuadrat e tyre.
Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›