E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjelat”, tenis me kuqezinjtë U-17

Edhe më keq. Madje, më shëmtuar. Kombëtarja më e vogël e Shqipërisë, ajo U-17, pas humbjes me Holandën (3-0), pësoi humbjen e dytë (të pritshme) me Francën (0-6) në ndeshjet e vlefshme për grupin 10 kualifikues të Kampionatit Europian U-17. Një humbje që dëshmoi se fillesat e futbollit në Shqipëri janë shumë larg atij që përgatitet në akademitë e klubeve europiane. Duro e pati rithënë kur përfundoi ndeshja me Holandën: "Franca është një nga ekipet më të mira në Europë për moshat. Ne do të përpiqemi të paraqitemi sa më denjësisht". Por, rezultati dhe loja do të kenë zhgënjyer, më shumë se këdo tjetër të pranishëm në "Selman Stërmasi", trajnerin Duro, që i besoi edhe një herë formacionit me të cilin humbi me Holandën.
MINUTAT E TMERRIT – Brenda harkut të katër minutave, kombëtarja, e drejtuar nga Shpëtim Duro, përjetoi një tmerr të vërtetë futbollistik. Kuqezinjtë nën shtatëmbëdhjetë vjecarë u treguan shumë të druajtur, pa forcë, pa mendim, të paorganizuar, duke pësuar tre gola brenda 360 sekondave. Për ta zbukuruar fitoren e "gjelave rioshë", pas golit të të jashtëzakonshmit Grenier (35') menduan edhe lojtari i Celsit Gael Kakuta (36') dhe futbollisti i Okserit, Samba Kanoute.
TRIPLETA E GRENIER – Lojtari i mirë i ndeshjes ishte sulmuesi i Olimpikut të Lionit (U-17), Klement Grenier, i cili nisi goleadën franceze në minutën e 4-t, për të vazhduar më pas në të 35' e për t'i dhënë fund me kryeveprën e minutës së 76-të, që vulosi dhe rezultatin e takimit: 6-0, por edhe golin e nëntë të shënuar në portën e Shqipërisë, të mbrojtur nga Xhino Sejdo (luan me Venecian në Itali).
TRE RASTE – Franca e dominoi tërësisht takimin, por brenda harkut të 80 minutave (kaq luhen ndeshjet e U-17), Shqipëria rrezikoi tri herë me Erti Konin (Olimpik Tirana) dhe mesfushorin e Besëlidhjes, Teodor Përlleshin (dy herë). Përvec këtyre momenteve edhe ndonjë veprimi të organizuar në mesfushë, Shqipëria U-17 tregoi shumë pak gjëra nga futbolli modern, që duhet të ketë shfaqur Kombëtarja U-19 në kualifikueset e Spanjës për Kampionatin Europian U-19, ku dhe u kualifikuam për në turin e dytë.

Ndeshjet
23 tetor
Francë-Letoni 1-0
Holandë-Shqipëri 3-0
25 tetor
Shqipëri-Francë 0-6
Letoni-Holandë 1-3
28 tetor
Francë-Holandë (Durrës)
Shqipëri-Letoni (Tiranë)
Renditja: Franca 6 pikë, Holanda 6, Letonia 0, Shqipëria 0

Vendi i tretë
Është plotësisht i mundshëm. Por jo shumë i lehtë për t'u arritur nga Shqipëria. Humbja e dytë e Lituanisë me Holandën (1-3), pas asaj me Francën (1-0) të martën po në "Niko Dovana" të Durrësit, na bën të besojmë se lituanezët nuk janë dorëzuar aq lehtë sa Shqipëria. Nëse duhet të kujtohemi se i mbyllëm me nder eliminatoret e para të një Kampionati Europian të organizuar ndonjëherë në Shqipëri duhet të fitojmë me Lituaninë, pasi barazimi - falë golaverazhit më të mirë të letonezëve - na rendit sërish të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›