Futbolli shqiptar në zi për humbjen e Panajot Panos
TIRANë -Futbolli shqiptar është në zi. Humbja e papritur e figurës më të shquar të futbollit shqiptar, legjendës Panajot Pano, ka tronditur ambientin futbollistik shqiptar. Thellësisht i prekur nga humbja e papritur e mjeshtrit dhe simbolit të futbollit shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të futbollit, thekson se "kontributi dhe vlerat e tij si futbollist, drejtues sportiv dhe njeri, janë të pazëvendësueshme. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, të futbollistëve dhe trajnerëve, të komunitetit më të rëndësishëm sportiv në botë, në emër të gjithë atyre që kanë njohur dhe janë nxitur nga vlerat e tij, dëshiroj t’i jap bashkëshortes, familjes dhe njerëzve të afërt, ngushëllimet më të sinqerta". Për të nderuar figurën e Panajot Panos, “Mjeshtër i merituar i sportit”, “Mjeshtër i madh”, “Lojtar i shekullit” i zgjedhur nga UEFA, “Nderi i Kombit", FSHF vendosi të krijojë një komision për sjelljen e trupit të pajetë të Panajot Panos në atdhe, si dhe për organizimin e ceremonisë së homazheve dhe varrimit të tij. Ndërkohë, FSHF ka vendosur që përpara ndeshjes miqësore mes Gramozit dhe Realit të Madridit të mbahet një minutë heshtje në nder të Panajot Panos. (d.b/BalkanWeb)