E Diel, 1 Nëntor 2026

Panajot Pano, Qeveria: Zi Kombetare dita e varrimit

TIRANË- Qeveria nisi mbledhjen e radhes me nje minute heshtje ne nderim te futbollistit shqiptar Panajot Pano. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shpalli sot ditë zie Kombëtare, ditën e ceremonisë së varrimit të legjendës së futbollit shqiptar Panajot Pano. “Pano ishte për dekada futbollisti që me talentin e tij, dhuntitë e tij të jashtëzakonshme por dhe shpirtin e tij të pamposhtur në futboll dhe tërësisht popullor në jetë, mbushi me entuziazëm me gëzim dhe krenari zemrat e të gjithë sportdashësve shqiptarë, zemrat e mbarë shqiptarëve”, tha Berisha. “Futbolli shqiptar është në ditë zie, por në zi janë edhe mbarë shqiptarët. Pano ka marrë nga të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbarë kombit shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit, nga organizmat kryesorë të sportit ndërkombëtar, vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara. Në nderim të legjendës te pavdekshme që ai la pas, por dhe nderim i mbarë shqiptarëve që e deshën aq shumë futbollistin e papërsëritshëm, qeveria vendosi sot të shpallë zi Kombëtare ditën e cermonisë së varimit të tij”, u shpreh Berisha. Në të gjitha institucionet flamuri Kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. MTKRS do të organizojë ceremonialin dhe do të përballojë të gjitha shpenzimet e ceremonialit. Momentalisht trupi i Panos ndodhet ende ne SHBA pasi futbollisti nderroi jete ne konntinentin amerikan për shkak të një infarkti, ndërsa ishte për një vizitë familjare te vajza e tij.Panajot Pano është padyshim emri më i madh i futbollit shqiptar ndër vite, i nderuar me çmime si Mjeshtër i Madh, Urdhri i Punës i Klasit të Parë, Urdhri Naim Frashëri i Klasit të tretë, të dytë e të parë dhe medalja urdhri i Meritës për 100 vjetorin e FIFA-s. Por, nderimin më të madh Panajot Pano e ka marrë më 6 mars, kur është dekoruar nga presidenti Bamir Topi me titullin Nderi i Kombit, hera e parë që një futbollist merr një nderim të tillë. Panajot Pano ka qenë gjithashtu president nderi i Klubit Partizani si edhe president nderi i Federatës Shqiptare të Futbollit. I lindur më 7 mars 1939 në Durrës, ai e nisi karrierën me të rinjtë e Tiranës, por më pas kaloi te rivalët e Partizanit, ku edhe njohu shkëlqimin më të madh. Panajot Pano ka shënuar 147 gola në karrierë, 8 me Tiranën, 136 me Partizanin dhe 3 me fanelën e ekipit kombëtar. Një nga pengjet e mëdha të karrierës së tij është që nuk mori pjesë në kampionatin europian apo atë botëror si edhe që sistemi komunist nuk e lejonte të transferohej në ndonjë nga ekipet e mëdha të Evropës. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›