E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkotojnë festën e librit

Nga Express më 25 janar 2011 në ora 08:48

Disa shkrimtarë, studiues dhe regjisorë të njohur po e mbështesin bojkotin e udhëhequr nga Reporterët pa Kufij të festivalit kryesor letrar të Sri Lanka-s.

Arundhati Roy, Ken Loach, Tariq Ali dhe Noam Chomsky i kanë shtuar emrat e tyre në fushatën e organizatës duke protestuar ndaj restrikcioneve të vendit për fjalën e lirë.
“Është shqetësues fakti se letërsia po lartësohet në këtë mënyrë në një vend ku karikaturistët, gazetarët, shkrimtarët dhe zërat disidentë aq shpesh po viktimizohen nga qeveria e tanishme,” thuhet në një njoftim të Reporterëve pa Kufij të bërë gjatë kësaj jave.

BBC News ka raportuar se romancieri turk, laureat i çmimit Nobel për letërsi, Orhan Pamuk si dhe shkrimtarja Kiran Desai, të cilët janë çift, janë tërhequr nga festivali.
Grupe që luftojnë për të drejtat e njeriut thonë se 17 gazetarë janë vrarë në Sri Lanka në dekadën e fundit, derisa të tjerë që punojnë në media janë kërcënuar, burgosur apo kanë ikur nga vendi.

The Galle Literary Festival, tani në vitin e pestë, ka një numër të punëtorive, diskutimeve me shkrimtarë dhe shfaqje.

Themeluesi i këtij festivali Geoffrey Dobbs thotë se ngjarja është e rëndësishme si platformë për fjalën e lirë.

“Festivali është një prej disa forumeve në vend që në mënyrë aktive promovon diskutimet e gjalla dhe plot zell,” ka thënë ai për BBC News. “Ne dëshirojmë që kjo të vazhdojë dhe gjithmonë do të mirëpresim çdo shkrimtar dhe gazetar për të përdorur festivalin si platformë për të ngritur këto çështje”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›