E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbollistët e Interit priten si heronj në Milano

MILANO- Rreth 5 mijë tifozë kishin dalë në aeroportin e Malpensës në Milano për të pritur rikthimin e Interit nga Barcelona. Ata i janë përgjigjur deklaratës së bërë nga Murinjo pas ndeshjes, ku u kërkoi fansave të ishin në aeroport për të pritur heronjtë. Kualifikimi për në finalen e Champions League nuk ndodhte prej 38 vjetësh për skuadrën zikaltër dhe tifozët kanë qëndruar afro tre orë e gjysmë duke pritur ardhjen e lojtarëve. Avioni me skuadrën e Interit u ul në Malpensa në orën 2.28, ndërsa dalja e futbollistëve ka qenë me të vërtetë e vështirë përballë një turme e gjitha në delir. Murinjo ka qenë heroi i tifozëve zikaltër. Të gjithë kanë thirrur në kor emrin e tij, strategut që diti të thyejë skuadrën më të fortë të botës, ndonëse me një futboll jo shumë spektakolar. Ndërkohë, sërish kore ngacmuese për Balotelin, që edhe këtë herë është detyruar të dalë nga aeroporti me ndihmën e forcave të sigurisë. Sa u përket titujve të gazetave, në Angli, Spanjë apo Itali, të gjitha kanë ngritur në qiell teknikun portugez për eliminimin e Barcelonës. Interi fitoi 3-1 në “San Siro” dhe u mund 1-0 në Kamp Nou, ku iu desh të luante për 62 minuta me 10 futbollistë, pas kartonit të kuq të Tiago Motës. Në finalen e 22 majit në Madrid, Interi do të ndeshet me Bajernin e Mynihut.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›