E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futen në axhendë dekretet e Topit për Gjykatën e Lartë

Procedura Komisioni i Ligjeve në Kuvend nuk e cakton datën e saktë për seancën dëgjimore me kandidatët

Kuvendi ka futur në rendin e ditës për mesin e javës së ardhshme diskutimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kryetari i Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore, Ilir Rusmali, deklaroi dje se do të diskutojnë javën e ardhshme pas ligjit për faljen, dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në fakt, ende nuk është caktuar data e saktë e seancës dëgjimore me të emëruarit Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj. Kreu i shtetit shqiptar i ka dekretuar gjyqtarët e rinj më 25 maj, por Kuvendi i ka shtyrë ato dy javë më vonë, edhe pse situata në shkallën më të lartë të gjyqësorit paraqitet emergjente, pasi janë vakante vendet dhe nuk arrihet dot të mblidhen kolegjet e Gjykatës së Lartë. Si datë e mundshme e shqyrtimit të kandidaturave u anonçua 9 ose 10 qershori, pasi prioritet për Komisionin e Ligjeve sipas Rusmalit është shqyrtimi i ligjit për faljen që ka mbërritur në Kuvend. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës për tre emrat e paraqitur, ndërkohë që pas rrëzimit të Vangjel Kostës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese polemikat në radhët e politikës janë ndezur në shkallën më të lartë. Ndërkaq, mazhoranca ka marrë vendim që të ndryshojë procedurat e marrjes në pyetje të anëtarëve të dekretuar, duke shqyrtuar jo vetëm CV-të e paraqitura nga Presidenca, por ka kërkuar nga stafi i Komisionit të çështjeve Ligjore që të sigurohet edhe informacion shtesë në lidhje me çdo anëtar. Këtë e kanë kërkuar anëtarët e Komisionit të Ligjeve Viktor Gumi dhe Dashnor Sula, ndërkohë që kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, deklaroi se çdo anëtar që ka kërkesa specifike për të emëruarit duhet që të paraqitet pranë stafit të komisionit dhe t’i japë detyra të veçanta. Burime nga e djathta bëjnë të ditur se mazhoranca nuk e preferon njërin nga të dekretuarit e Topit për në Gjykatën e Lartë, por ende nuk është mësuar kush është ai prej treshes. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, u shpreh se duhet që të jemi në dijeni për çdo detaj ose dokument të formimit të tyre profesional dhe trajnimit të tyre. Të martën e kaluar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke emëruar tre juristë që nuk kanë pasur një ‘background’ politik në kohën e regjimit komunist, por ka dekretuar një nga emrat që dy vjet më parë është rrëzuar nga mazhoranca. Bëhet fjalë për gjyqtarin Medi Bici, i cili bashkë me Vexhi Muçmatajn dhe Sokol çomon janë dekretuar dje nga kreu i shtetit, si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por Bici ka qenë edhe pjesë e listës së “gjashtëshes” që u rrëzua nga mazhoranca dy vjet më parë. Sakaq, deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, deklaroi se procedura e dhënies së pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë duhet të zhvillohet pa u nxituar dhe duke i dhënë kohë shqyrtimit të të gjitha dokumenteve. Gumi bëri thirrje që të mos kërkohet një miratim i shpejtë, por gjithçka të zhvillohet me qetësi dhe transparencë të plotë. Vendimi për t’u dhënë seancave dëgjimore formën e një “seance gjyqësore”, u mor në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Burimet brenda grupit bënë të ditur për “Shqip” se drafti me ndryshimet e reja në procedurat e seancave dëgjimore të Komisionit të Ligjeve ka nisur të hartohet nga një pjesë e deputetëve të Komisionit parlamentar të Ligjeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›