Prifti: Po u rezistojmë tronditjeve ekonomike
Ministri i Ekonomisë beson se nëse vijohet me këto ritme pozitive, atëherë Shqipëria i ka shanset të jetë vend anëtar i Bashkimit Europian më 2015-n. Duke folur për situatën e tregtisë me jashtë, analizuar në raportin e fundit të OKB-së, ku ishin të pranishëm një sërë ekspertësh të fushës, ministri vuri në dukje forcën e ekonomisë shqiptare për të përballuar tronditjet që pësuan disa shtete më të fuqishme se ne. Ministri i Ekonomisë vlerësoi rrugën në të cilën ka ecur Shqipëria në vitet e fundit, duke përmendur rritjen kulmore në vitin 2008 me një rritje të GDP-së prej 8 për qind, ku Shqipëria vazhdon dhe u reziston tronditjeve që kanë marrë vende më të forta se sa vendi ynë. “Sigurisht që kriza ekonomike botërore arriti të ngadalësojë ritmet e rritjes ekonomike, por përsëri Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon dhe në Europë që vazhdon të rritet me ritme që të gjithë i quajnë të larta”, tha ministri. “Ne si qeveri kemi bindje që brenda këtij viti do të hiqen vizat me Bashkimin Europian dhe në një pesëvjeçar, me këtë punë të shkëlqyer të administratës dhe të qeverisë, ne mund të jemi edhe anëtarë me të drejta të plota në BE”, u shpreh më tej Prifti. Në raportin e OKB-së për politikën tregtare të Shqipërisë, viheshin në dukje aspekte pozitive të zbatimit të marrëveshjeve me Organizatën Botërore të Tregtisë. Megjithatë, në dy vitet e fundit ka pasur një përkeqësim të bilancit tregtar, me një deficit (për 2009-n) rreth 2.4 miliardë euro. Aktualisht, eksportet mbulojnë vetëm 24 për qind të importeve.
#