Fyejt e Gramshit mbledhin folkloristët mbarëkombëtarë
Një takim folklorik në përmasat e një festivali u mbajt për dy ditë në qytetin e Gramshit. Artistët e fyejve nga gjithë trevat mbarëkombëtare janë mbledhur në këtë qytet për të interpretuar meloditë më virtuoze në veglën frymore të fyellit. është zgjedhur Gramshi si vendi organizator dhe mikpritës për vetë faktin se grupi i fyejve të këtij rrethi, në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar është vlerësuar më i miri dhe i veçanti që ruan këtë traditë muzikore folklorike ndër shekuj. Jo pak, por dhjetë grupe folklorike janë ngjitur në skenën e shtëpisë së kulturës së këtij rrethi duke përcjellë për qindra shikues vlerat burimore interpretative, specifike për zonat përfaqësuese. Paraditja e djeshme ia ka lënë vendin një parade në bulevardin qendror të këtij qyteti që nën ritmin e veglave frymore tradicionale e sharmin e veshjeve popullore, kanë bërë që për rreth një orë sheshi i qytetit të gumëzhijë. Artistë nga Mallakastra, Vlora, Visaret e Kërrabës, Elbasanit, Gjilani, Shkupi e Gramshi organizator, kanë prezantuar një ansambël të vërtetë interpretimesh virtuoze me fyeje, solo dhe në grup e të gjithë me veshjet tradicionale të zonave përkatëse. Në fund të konkurrimit, për grupet më të mira si Mallakastra, Gjilani, Shkupi, Gramshi etj., nga autoritetet vendore janë shpërndarë çmimet inkurajuese. Veprimtaria e përmasave mbarëkombëtare është organizuar nga Qendra Kulturore Gramsh e mbështetur nga bashkia, nënprefektura, donatorë privatë vendas. Pjesëmarrësit dhe artistët organizues kanë hedhur idenë që vitin që vjen kjo veprimtari artistike të shndërrohet në festival mbarëkombëtar për vlerat folklorike që mbart, si dhe për dukurinë në zbehje të tingujve të fyejve në mbarë trevat shqiptare.
#