E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Votimi për Kostën ishte politik

Deklarata

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, komentoi dje mbi debatin e hapur rreth votimit politik ose jo të propozimit të Presidentit për në Gjykatën e Lartë. “Gjithë trupat parlamentare janë trupa politike dhe sigurisht që në çdo votim të tyre ka konsiderata politike. Padyshim që Kuvendi i Shqipërisë vepron në mënyrë politike, nuk është një shoqatë për prodhimin e mjaltit apo për ndonjë gjë tjetër. Njerëz që kanë qoftë edhe lidhjen më të vogël me proceset politike që zhvillohen në kohën e diktaturës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të votohen nga Partia Demokratike, kjo besoj që është një hap përpara për ne”, u shpreh Imami. Sot ne kemi gjyqtarë, tha ai, kemi juristë, avokatë, noterë, të cilët janë rritur, janë edukuar, janë shkolluar dhe kanë punuar në kohën e demokracisë. “Fjala vjen, dy gjyqtarët që u zgjodhën, qoftë Xhoxhaj dhe zoti Bashkim Dedja, janë gjyqtarët më të mirë të këtij brezi, për të cilët flasim. Unë do të doja të shtoja se nuk mund të votohet në mënyrë të fshehtë, dekreti i Presidentit. Dekreti i Presidentit ratifikohet, ose hidhet poshtë, rrëzohet me votë të hapur. Së pari kjo është kushtetuese, së dyti është principale në kuptimin që çdo deputet dhe Parlamenti në përgjithësi merr përgjegjësi kur voton, pro ose kundër një kandidature të caktuar”, u shpreh Imami. Deklaratat ai i bëri gjatë vizitës që kreu dje së bashku me zëvendëskryeministrin Ilir Meta në ambientet e Kombinatit Mekanik në qytetin e Poliçanit, ku po punohet për demontimin e municioneve të mbetura në depot ushtarake të vendit. Në këtë kombinat janë shtuar dy linja të reja sharrë, dhuratë nga qeveria daneze, të cilat do të ndihmojnë për procesin e demontimit të municioneve. Inspektimi i punës së dy makinerive të reja ka qenë dhe motive i vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes sot në këtë kombinat. Imami ka deklaruar se Shqipëria po kryen një nga proceset kryesore dhe themelore për t’u shkëputur nga e shkuara e asaj detyre që nuk e kanë vetëm forcat tona të armatosura, por edhe të gjitha ato forca të armatosura që tashmë janë pjesë e NATO-s. “Detyra që i ka vënë qeveria Ministrisë së Mbrojtjes për ta mbyllur me sukses këtë proces në vitin 2014 do të realizohet. Vitin 2014 do përpiqemi ta afrojmë si kufi, por sigurisht pa cenuar kushtet e sigurisë. Ndërkaq, ministria është në marrëveshje me Agjencinë Logjistike të NATO-s dhe me një fond të konsiderueshëm nga SHBA-ja dhe vendet e tjera parlamentare. Ne do t’i rrisim sa më shumë kapacitetet demontuese dhe me rritjen e kapaciteteve që janë siguria absolute, realizimin sa më shpejt të planit që kemi: rritje e kostos ekonomike të këtij procesi dhe ulja e ndikimit negativ në mjedis. Shkatërrimi në masë jashtëzakonisht të madhe ka edhe një kosto të caktuar në mjedis dhe ne do të përpiqemi të shkojmë paralelisht me rritjen e kapaciteteve, shtimin e demontimit dhe uljen e kostos së ndotjes në ambient.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›