Ca fjalë për Nënë Terezën
Përshëndetje, fjalime, vargje të recituara dhe disa imazhe filmike, të gjitha lidhur me Nënë Terezën apo misionin e saj, kanë përbërë programin e konferencës përkujtimore që u mbajt dje në Teatrin e Operës me rastin e 100-vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare. është shpallur tashmë se ky vit do të mbajë emrin e Nënë Terezës dhe me porosi të qeverisë do të realizohen disa aktivitete. Veç autoriteteve shtetërore, në konferencën e djeshme, në nderim të misionares shqiptare kanë marrë pjesë përfaqësues të besimeve të ndryshme, të cilët edhe në fjalën e tyre theksuan se përkushtimi i Nënë Terezës është një shembull për t’u ndjekur pavarësisht besimit. “Kudo e njohur si Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhi është njeriu që humanizmin e shndërroi në një armë të fuqishme, në armë të paqes, përgjatë shekullit të njëzetë, shekull që do të mbahet mend gjatë për intolerancë të padëgjuar humane. Mesazhi i saj i madh e kapërcen kornizën e epokës ku ajo jetoi, pasi misioni i saj ka qenë mendja dhe zemra njerëzore, përtej çdo sistemi, përtej çdo epoke”, ka theksuar në fjalën e tij ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj. Kryetari i Klerit katolik, Angelo Massafra, kryepeshkopi Anastas Janullatos, kryetari i Klerit mysliman, Selim Muça, Kleri Bektashi Baba Reshat Bardhi, kanë marrë fjalën më pas. Nënë Tereza, e njohur vonë ndër shqiptarë, është sjellë si shembulli i përkushtimit ndaj njerëzimit. Aktorja e njohur, Tinka Kurti dhe Ema Andrea, kanë recituar vargje apo shprehje të Nënë Terezës, ndërsa disa studiues të ftuar për të referuar kanë folur për Nënë Terezën misionare, bamirëse, për një grua që e shpenzoi jetën mes të varfërve. Anton Nikë Berisha kishte marrë si pikë referimi thënien e vetë Nënë Terezës: “I desha njerëzit me dashurinë e Hyjit” për të kuptuar misionin e saj, Mgr. Gjergji Frendo mbajti ligjëratën “Gëzim dhe buzëqeshje tek e lumja Tereza”, On. Renato Farina foli për Nënë Terezën dhe sprovat e besimit, studiuesi Gëzim Alpion, i cili edhe më parë ka botuar disa libra e artikuj për Nënë Terezën ka folur për misionin e saj, Don Gjergj Meta për kongregatën e “Misionareve të Dashurisë” në Shqipëri, Kolec çefa ka folur për gjurmët e familjes së Gonxhe Bojaxhiut, ndërsa tingujt e korit “Pax dei”, dirigjuar nga Suzana Turku kanë mbyllur këtë konferencë përkujtimore. “Nënë Tereza në shtypin shqiptar” përgatitur nga Mehmet Gëzhilli ishte ndërkohë ekspozita që qëndroi e hapur në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ministria shpalli një listë të aktiviteteve që do të zhvillohen deri në muajin tetor. Janë kryesisht ekspozita të realizuara nga institucione të ndryshme, çmime muzikore apo letrare, shumica e të cilave do të kulmojnë më 26 gusht, dita e lindjes. Një pjesë ende e papërcaktuar mirë në data dhe në përmbajtje. Në këtë rast, që u quajt përkujtimor nuk u fol as për grupin e punës që është ngritur për realizimin e një kompleksi muzeor dhe as për ndonjë vendim tjetër. Edhe më parë janë diskutuar disa nisma për Nënë Terezën, siç ishte ajo e vitit 2006 për një muze kushtuar bamirëses brenda Muzeut Historik Kombëtar, ide e cila u harrua në heshtje, apo edhe të tjera në vazhdim. Mbetet për t’u parë se si do të vijojnë aktivitetet e programuara për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.
#