E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyerje raciste Canës,tifozi rrezikon burgun

• Një tifoz i skuadrës së Metzit ka ofenduar me fyerje raciste Lorik Canën të shtunën në mbrëmje dhe pasi është arrestuar nga policia, rrezikon 6 muaj burg, 22 mijë euro gjobë si dhe për pesë vjet t’i ndalohet hyrja në stadiumet franceze.

Jetmir Halilaj

Gjithçka ndodhi të shtunën në mbrëmje në ndeshjen Metzit-Marsejë, ku skuadra e Canës fitoi me rezultatin 2-1. Një tifoz 38-vjeçar i skuadrës vendëse gjatë ndeshjes është konfrontuar me disa tifozë të Marsejës. Fillimisht ka pasur debate me fjalë, ndërsa pastaj ka pasur edhe kontakte fizike. Ka ndërhyrë policia dhe është dukur se gjërat janë qetësuar në shkallët e stadiumit, por vetëm pak minuta më pas tifozi i Metzit ka lëshuar fyerje raciste në adresë të kapitenit të Marsejës, Lorik Cana. Ky i fundit nuk ka reaguar fare ndaj sharjeve të ultrasit. Më pas ka ndërhyrë sërish policia, e cila ka vënë në pranga tifozin dhe e ka larguar nga stadiumi.
Dënimi
Tifozi 38-vjeçar fillimisht i ka mohuar akuzat se kishte ofenduar me fyerje raciste shqiptarin Lorik Cana, por pas pamjeve filmike që dispononte policia, ai ka pranuar se e kishte bërë një gjest ë tillë. Ultrasi ka qëndruar në komisariatin e policisë deri në orët e para të ditës së diel dhe më pas është lënë i lirë. Sipas agjencisë së lajmeve “Rojter”, tifozi rrezikon deri në gjashtë muaj burg. Atij i është bërë e ditur se më 14 gusht do të ketë një seancë gjyqësore për të dhe sipas ligjeve të shtetit francez, ai rrezikon që të dënohet me gjashtë muaj burg, 22 mijë euro gjobë dhe të mos lejohet të hyjë në stadiumet franceze për pesë vjet. Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtij viti ka probleme të tilla në stadiumin e Metzit. Në fillim të muajit shkurt, kapiteni i Valensienit, marokeni Abdeslam Ouado, ra pre e fyerjeve raciste të një tifozi të skuadrës së Metzit. Ndryshe nga Cana, ai kërkoi që tifozi të ndëshkohej maksimalisht për sjelljen e tij të shëmtuar dhe kishte premtuar se do ta ndiqte këtë çështje deri në fund, pasi i cilësonte të patolerueshme këto veprime nga tifozët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›